Lirija ka emrin liri, pse e vratë Lirinë”, ishte thirrja e grave nga Drenica që protestuan pas vrasjes së 48-vjeçares nga Llausha. Lirije Qerimaj dy ditë më parë, u vra më armë zjarri nga bashkëshorti i saj, përcjell KosovaPost.
“Boll më”, “Duam siguri”, “Shtëpia është e jona”, “Mos i vrisni nënat tona”, ishin disa nga thirrjet tjera të grave që marshuan nga sheshi “Adem Jashari” në drejtim të Gjykatës dhe Stacionit Policor në Skenderaj. Ato kanë kërkuar nga institucionet që të marrin seriozisht këto raste, në mënyrë që të parandalohen vrasjet e grave.
Kryetarja e organizatës “Gratë Intelektuale të Drenicës”, Sevdije Hoxha u shpreh se trimëri nuk është që të vriten gratë. Ajo ka kërkuar drejtësi për vrasjen e gruas nga Llausha e Skenderajt.
Hoxha: Kërkojmë që rasti të trajtohet dinjitetshëm
“Ne gratë e Drenicës kemi dalë me ngrit zërin, të mbrojmë drejtat tona, të protestojmë për të gjitha vrasjet që janë bërë në rajonin e Drenicës, vit pas viti. Kjo ishte ndër rastet e fundit, lus Zotin që asnjë rast i vrasjeve të mos jetë më. Në emër të grave të Drenicës kërkojmë që rasti të ekzekutohet dhe në mënyrë më dinjitoze… kërkojmë drejtësi për gjithë viktimat, drejtësi për Lirije Qerimaj, boll më vrasje, boll më. Qoftë e fundit kjo vrasje”, ka thënë ajo.
E, kryetarja e Federatës për Shoqatën e Pensionerëve të Kosovës, Bahtije Sejdiu tha se ngjarja që ka ndodhur në fshatin Llaushë është e tmerrshme.
Sejdiu: Me vra gruan nuk është trimëri, është poshtërsi
“Kisha bërë apel tek të gjithë njerëzia, tek të gjithë këta njerëz që po bëjnë krime të ndalin dorën. Mos të lejnë fëmijë jetimë, mos të shkatërrojnë familjet, mos të shkatërrojnë fëmijët që mbesin jetimë për tërë jetën me ato tmerre që i kujtojnë tërë jetën e tyre. Dhashtë Zoti që të mos përsëritet më kurrë asnjë vrasje askund, jo në Drenicë, po hiç askund…Me vra gruan nuk është trimëri, është poshtërsi, për krejt familjen është diçka e tmerrshme”, ka deklaruar ajo.
Në marshin e grave nga Drenica nuk pati edhe përfaqësues të institucioneve. Megjithatë, aktivistja Arbnora Fejza – Idrizi ka kërkuar nga këto të fundit që të tratjojnë me përgjegjësi këtë rast