Media greke “Kathimerini” ka botuar një shkrim për marrëdhëniet e komplikuara të javëve të fundit mes Rusisë dhe Serbisë.
Presidenti serb Aleksandër Vucic po kalon kohë të vështira. Deri tani ishte i gëzuar se kishte arritur të mbajë barazpeshën mes Rusisë dhe Perëndimit, duke “thithur” edhe diçka nga Kina, të cilat i sillnin fitore në zgjedhje duke e përdorur taktikën e “mbajtjes së marrëdhënieve të mira me të gjithë për të përfituar Serbia.”
Më tutje, media greke tregon se përveç kësaj ane, vështirësi të mëdha i vinë Serbisë edhe nga vetë Rusia, që po përdor gjithmonë e më tepër pretekstin e Kosovës për të njohur Pavarësinë e Doneskut dhe Luhansit. Më e dhimbshme për serbët ishte përmendja e vendimit të Gjykatës së Drejtësisë që e shpalli të ligjshme pavarësinë e Kosovës.
Nëse Moska heq bllokimin e njohjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, atëherë kjo do ishte humbje zyrtare e Beogradit për Kosovën. Kjo do nxiste që edhe institucionet tjera ndërkombëtare të cilat akoma kanë hezituar, në të ardhmen të pranonin njohjen e Kosovës.
Kjo do ishte një “game over” për Serbinë. Lideri serb po reziston, por ka marrë një “thikë pas shpine” nga Putini.
Cinizmi i Putinit në krahasimin e Kosovës me territoret e kontestuara në lindje të Ukrainës, është një shok për Beogradin. Vucic dhe diplomatët e tij kuptojnë më së miri se “protektori i madh” i tyre shfaq realitetin e thënies së kryeministrit britanik Lord Palmerston, që në politikë “nuk ka miq të përhershëm, por ka interesa të përhershme.”
Putin përdor Kosovën për planet e tij gjeopolitike. Ai tashmë është i gatshëm të bisedojë, nëse është e nevojshme, për të legalizuar “pavarësinë” e territoreve të marra në lindje të Ukrainës. Ky realitet, e dobëson akoma më shumë Vucicin për t’i rezistuar presionit në rritje të Perëndimit ndaj Kosovës.