Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se nesër do të udhëtojë në Bruksel për një takim me zyrtarë evropianë, por shtoi se nuk mund të zbulojë detajet e propozimit për formimin e Asociacionit, që “pesëshja e madhe” e solli gjatë vizitës së tyre në Prishtinë e Beograd.
Vuçiqi tha se do të takohet me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell, të dërguarin special për dialogun Miroslav Lajçak, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin italian Giorgia Meloni dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
“Pesëshja ishte këtu, kanë bërë propozimin e tyre për mënyrën e formimit të AKS-së, ne i kemi dhënë përgjigjet, detajet nuk mund t’i zbuloj, jemi gati të flasim për këtë, po trokasin në derë të hapur kur vjen puna te Beogradi. Se a do të jetë e lehtë, nuk do të jetë, nuk ka takim të bukur”, tha Vuçiqi në një paraqitje në radiotelevizionin e Serbisë.
Duke folur për situatën në Kosovë, Vuçiqi tha se “situata për ne është jashtëzakonisht e vështirë pas Banjskës”.
“Shqiptarët dhe faktori ndërkombëtar, si dhe disa në vend, e pritën atë si një dhuratë nga qielli”, tha Vuçiqi.
Megjithatë, ai vuri në dukje se edhe nëse Banjska nuk do të kishte ndodhur, do të kërkohej mënyra që Serbia të pranonte de facto ose de jure pavarësinë e Kosovës.
Para nisjes për bisedime në Bruksel, Vuçiqi tha se nga Prishtina është dërguar mesazhi se AKS-ja nuk është fare temë, teksa shtoi se nuk e di se cila do të jetë tema e takimeve të nesërme.
Ai shtoi se Banjska dhe gjithçka tjetër do të përdoret për t’i hedhur diçka Serbisë.
“Por, nuk mendoj se liderët evropianë mund të jenë të verbër dhe të shurdhër, në mënyrë që Kurti të fshehë faktin se ai kurrë nuk do të formojë AKS-në”, tha Vuçiqi.
Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarët e rinj në veri të Kosovës, Vuçiqi tha se Prishtina, edhe nëse serbët nisin një peticion, do të gjejë arsye të panumërta për ta refuzuar propozimin.
Edhe kësaj radhe, ai foli për “ditë të vështira” e për “lidership të fortë që do të luftojë për vendin dhe popullin”. /KK