Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi përmes një postimi në Twitter se ka biseduar me Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të vendosur nëse do të marrin pjesë apo jo, në Samitin e Bashkimit Europian ku do të diskutohet edhe për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.
“Këtë mëngjes, fola me Edi Ramën dhe Dimitar Kovaçevskin rreth Samitit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët tanë, kemi vendosur të shpallim nesër në mesditë vendimin tonë për të marrë, apo jo, pjesë, në këtë takim”.
Serbia ka nisur disa nga kapitujt e bisedimeve, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë realizuar ende konferencën e parë ndërqeveritare, që nis zyrtarisht negociatat për anëtarësim.
Rama ka deklaruar disa herë në ditët e fundit që nuk pret të marrë dritën jeshile për këtë, as në samitin e radhës, për shkak të vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Kryeministri gjithashtu ka deklaruar se do të kërkojë ndarje nga shteti fqinj nëse kjo ndodh. Tre shtetet janë edhe nismëtare të Ballkanit të Hapur, një bashkim mes vendeve të rajonit për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.A2CNN.