Aleksandër Vuçiq i ka bërë thirrje Republikës së Kosovës që të ketë kujdes me Ivan Todosjeviqin, transmeton Kosova Post.
Vuçiq citohet nga mediat në Beograd që ka kërkuar anulimin e aktgjykimit të deputetit të Listës Serbe, të cilit, Gjykata e Apelit, ia konfirmoi dënimin me dy vjet burg.
Ky dënim erdhi si rezultat e deklarimeve të pamatura të këtij të fundit, nëpërmjet të cilave e mohoi Masakrën e Reçakut.
Presidenti serb Vuçiq tha se në rast se nuk anulohet ky vendim, atëherë marrëveshja e Brukselit nuk do të ekzistojë më.
Për më shumë, nëse sipas tij ky vendim nuk anulohet “është e qartë për ju se marrëveshja e Brukselit, me vendim të shqiptarëve, nuk ekziston më, kështu që atëherë të gjitha vendimet janë të mundshme.”
Tre ditë më parë, Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore të dhënë për deputetin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, me dy vjet burgim për një deklaratë të bërë në mars të vitit 2019 ku kishte deklaruar se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.
Vendimi i Gjykatës së Apelit u dënua nga udhëheqja shtetërore serbe, Lista Serbe dhe disa organizata të shoqërisë civile serbe në Kosovë./KosovaPost/