Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara dhe vende tjera të fuqishme perëndimore presin nga Serbia që ta njohë Kosovën, por askush nuk garanton madje as integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Ai i bëri këto komente në një debat të organizuar nga Këshilli Atlantik, gjatë të cilit theksoi se nuk pret “kohëra të lehta për Serbinë me administratën e presidentit amerikan Joe Biden”, duke vënë theksin tek dallimet rreth çështjes së Kosovës.
Serbia i sheh Shtetet e Bashkuara si mbështetëset kryesore të pavarësisë së Kosovës, të cilën ajo vazhdon ta kundërshtojë.
Megjithatë, presidenti serb, një ish ultranacionalist, që pohon të jetë shndërruar në properëndimor, tha se Serbia “ka nevojë për Shtetet e Bashkuara” dhe është vënë në përpjekje për të thelluar marrëdhëniet me Uashingtonin.
“Ne kishim menduar se jemi qendra e botes dhe shpresoj qe e kemi kuptuar situatën politike ne botë”, tha ai.
Kosova dhe Serbia pritet që të rifillojnë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të cilat mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.
“Cfarë kemi nënshkruar në Bruksel 8 vjet më parë duhet të përmbushet nga të dyja palët. Dhe këtu është problemi. Pala tjetër ishte e gatshme të nënshkruajë sepse ishte e sigurt se nuk duhet te zbatojë asgjë”, tha presidenti serb, duke kritikuar Prishtinën për “shantazh”.
“Nuk e dëgjoni nga Serbia asnjë shantazh të tipit nëse nuk e bëni këtë ne do të kërkojmë dëmshpërblime të luftës, do të ushtrojmë një padi kundër jush. Këtë e dëgjojmë cdo ditë nga Prishtina dhe nuk ka reagime qoftë nga Shtetet e Bashkuara, qoftë nga Bashkimi Evropian. Madje as në nuk reagojmë më”, tha ai duke nënvizuar se duhet “duhet të ndryshojmë atmosferën dhe të rrisim besimin mes nesh. Jo ta shohin njeri tjetrin si armiq. Nuk duhet të krijojmë mjedis armiqësor mes nesh”./tt