Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u adresua në debatin e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York dhe me këtë rast kritikoi liderët botërorë se “nuk e dëgjojnë askënd” dhe se kujdesen vetëm për interesat e tyre, transmeton Kosova Post.
“Serioziteti i momentit në të cilin ndodhemi më detyron të ndaj me ju fjalë të vështira, por të vërteta. Gjithçka që bëjmë sot duket impotente dhe e zbehtë. Realiteti është se askush nuk dëgjon askënd këtu. Askush nuk përpiqet për marrëveshje të vërteta dhe zgjidhje të problemeve dhe pothuajse të gjithëve u intereson vetëm përmbushja e interesave të veta, shpesh duke shkelur në proces parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare, duke hedhur nën këmbë Kartën e OKB-së dhe dokumentet e tjera mbi të cilat bazohet kjo organizatë”, tha Vuçiq.
Siç tha presidenti serb, nuk është faji i OKB-së, por i atyre fuqive që nuk marrin parasysh asgjë përveç “përmbushjes së qëllimeve të tyre politike, ekonomike dhe, për fat të keq, ushtarake”.
Vuçiq tha se pavarësisht se Serbia “ndjen pasojat e shkeljes së rëndë të dispozitave themelore të së drejtës publike ndërkombëtare, ajo nuk do të heq dorë nga parimet themelore të OKB-së”.
“Do të vazhdojmë të avokojmë për respektimin e vazhdueshëm të parimit të paprekshmërisë së kufijve, respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve tjera anëtare të OKB-së. Pavarësisht qëndrimit tonë, shumë në këtë sallë ende kanë problem me respektimin e integritetit territorial të Serbisë. Ju pyesni pse? Sepse ata posedojnë forcën dhe ne jemi të vegjël dhe të dobët në sytë e tyre. Megjithatë, siç mund të dëgjoni, ne megjithatë kemi forcë për të paraqitur të vërtetën në këtë vend”, tha presidenti i Serbisë.
Ai shtoi se Ballkani nuk mund të përballojë një luftë tjetër dhe tha se shpreson se do të ketë vullnet dhe mirëkuptim të të gjitha vendeve në këtë përpjekje.