Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, para dy ditësh ka pritur në Elysee kreun e shtetit serb, Aleksander Vuçiq, me të cilin kanë shprehur gatishmërinë e tyre rreth ndonjë zgjidhjeje “inovative” sa i përket problemit Kosovë-Serbi. Kjo iniciativë e Macronit vjen në kohën kur Kosova gjendet në prag të zgjedhjeve të reja me drejtues institucionesh në detyrë, kur në SHBA administrata e re ende s’ka lëshuar rrënjet mjaftueshëm dhe kur mandati i kancelares gjermane, Angela Merkel, po shkon drejt fundit.
Në Serbi këtë nismë të Macronit po e shohin si përpjekje për të vendosur në plan të dytë Gjermaninë, derisa në Kosovë e cilësojnë si përpjekje të tij për të mbajtur gjallë propozimet e favorshme për Serbinë në një kohë kur Kosova gjendet në zgjedhje.
Para dy ditësh në kryeqendrën franceze, presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq është pritur në takim nga presidenti Emmanuel Macron për të diskutuar edhe për çështjen e Kosovës. Pas përfundimit të këtij takimi Macron ka thënë se dera e tij do të jetë gjithmonë e hapur drejt gjetjes së një zgjidhje “inovative” për problemin mes Prishtinës dhe Beogradit.
Por çfarë mund të përfshijë në vetvete një zgjidhje inovative, siç ka thënë Emmanuel Macron?
Sipas analistes politike, Donika Eminit, drejtoreshë ekzekutive e “CiviKos”, përderisa Kosova është e fokusuar në zgjedhjet e reja, Vuçiq është duke punuar në shtrimin e rrugës për një marrëveshje e cila mundet me qenë edhe në favor të Serbisë.
“Ne duhet pasur parasysh që Franca gjithmonë ka pasur qasje më miqësore ndaj Serbisë për shkak të traditës së tyre të bashkëpunimit diplomatik por edhe interesave të përbashkëta. Një gjë duhet ta marrim nga kjo vizitë e që është fakti që Vuçiqi është i konsoliduar brenda në Serbi dhe se gjatë kohës kur ne jemi në fushatë, ai po punon në rregullimin e skenës politike dhe shtrimit të rrugës për një marrëveshje e cila mundet me qenë edhe në favor të Serbisë”, ka thënë ajo për Express.
Ndër çështjet që Vuçiq po mundohet që t’i mbajë në tryezën e dialogut, sipas Eminit, është edhe ajo e Asociacionit, shkëmbimit të territoreve e çështje tjera të ndjeshme për Kosovën.
“Asociacioni, as autonomia për pjesë të ndryshme në Kosovë, Vuçiqi po tenton që ti mbajë të gjitha të gjalla dhe në tavolinë nevojitet që të ketë sa më shumë unitet politik në këtë proces. andaj kjo është indikator që skena politike duhet me qenë e gatshme për dialog dhe për një betejë e cila mund të jetë e fundit dhe se 2021 ka potencial për një momentum për dialogun Kosovë Serbi”, ka deklaruar ajo.
Për sa i përket raportimeve të mediave serbe për këtë takim, Emini theksoi se çështjet që janë parashtruara nga mediat serbe nuk duhet të merren si të mirëqena.
“Normalisht që duhet të kemi parasysh që këto burime bijën nga mediat serbe që nuk mundemi me i marrë si të mirëqena. Ato janë të kontrolluara kryesisht nga Vuçiqi dhe munden me qenë presion ndaj palës shqiptare tani kur po kalojmë në procesin e zgjedhjeve dhe është diskutuar mjaft edhe për bashkimin me Shqipërinë nga z.Haradinaj, kështu që e kanë nuhatur që që Kosovë, është ende politika e pavendosur në mënyrën se si do të menaxhohet dialogu”, ka deklaruar më tutje ajo.
Në ndërkohë, pas takimit në mes të Macronit dhe Vuçiqit, anëtari i Institutit për Studime Evropiane, profesori serb Sllobodan Zecevic, ka thënë se zgjidhjet inovative mund të vijnë vetëm nga ajo që do të ishte e pranueshme për palën serbe, duke përmendur këtu autonominë për Kishën Ortodokse Serbe dhe manastiret.
Sipas tij kjo është një ide për të cilën Macron është i interesuar, derisa si kundërpeshë për një zgjidhje të tillë është që Beogradi të mos kundërshtojë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara por pa e njohur si shtet të pavrur dhe sovran.
Zevçeviç thotë se opsioni për njohje të pavarësisë së Kosovës në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkim Evropian është i papranueshëm.
Më tutje profesori serb ka thënë se me këtë takim Macron ka dashur që ta vendosë në plan të dytë Gjermaninë dhe kancelaren Angela Merkel.
“Macron dëshiron të dalë në plan të parë, sepse francezët besojnë që Serbia është shtet mik dhe ai me këtë dëshiron të ketë një avantazh ndaj gjermanëve”, ka thënë Zevcevic.
Ai tutje ka përmendur edhe deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, rreth shkollimit në Francë, dhe sipas tij kjo mund të ndikojë që ai të jetë më i afërt me Macronin dhe Qeverinë Franceze.
“Nëse Macron do të kishte mbështetjen e Blinken, Gjermania do të binte në plan të dytë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, ka shtuar tutje për “Novosti”.
Duke komentuar mesazhet e dëgjuara nga Pallati Elysee, Suzana Grubeshic nga Qendra për Politikë të Jashtme thotë se çështja e Kosovës do të zgjidhet në koordinim me SHBA dhe BE.
Ajo thotë se pavarësisht interesit të dukshëm të Macronit, një zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë nuk është e mundur pa Gjermaninë. Grubeshic thotë se një gjë e tillë mund të konkludohet nga fakti se sa herë Macron e ka përmendur Gjermaninë dhe Merkelin.
Grubeshic thotë se zgjidhja inovative do të ishte që shqiptarët dhe serbët të lejohen të zgjidhin vetë problemin.
“Deri më tani, nuk ka ndodhur që përfaqësuesit serbë dhe përfaqësuesit e Kosovës të ulen vetëm për të zgjidhur problemin pa ndërmjetësues, ndërmjetësues, ata që ulen në dhomën tjetër. Ky do të ishte një hap i madh përpara”, ka thënë ajo.