Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, është përfolur si personi që mund ta mundësojë zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Mirëpo, përkundër që ditë më parë ai kishte lënë që të nënkuptohet se ai mund të qëndrojë në sallë kur të votohet presidenti, duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Në një bisedë për Gazeta Blic, Haliti ka thënë se do e respektojë vendimin e grupit parlamentar të PDK-së.
Ai tha se do e respektojë vendimin që do ta merr partia e tij.“Nuk e di qysh e kam disponimin. Po për sonte unë nuk e di që paska seancë për këtë gjë. Ata kanë thirrë seancë për ligjin për zgjedhje. Unë jam në PDK dhe do ta respektoj vendimin që e merr grupi parlamentar dhe partia”, ka thënë Haliti.
I pyetur se në rast se janë vetëm 79 deputetë të pranishëm në Kuvend, e nëse ai do të mund ta mundësonte zgjedhjen e presidentit të ri, Haliti ka thënë se për këtë gjë nuk është kontaktuar nga askush.
Thotë se kjo gjë është përgjegjësi e atyre që po tentojnë ta zgjedhin presidentin.“Le te gjejnë more ata vetë. Mua nuk më ka thirrë askush për një cështje të tillë. Le të bëjnë ata zgjidhjen”, ka thënë shkurt Haliti për Gazeta Blic.