Hoxha Ymer Prizreni, besimtari e patrioti, kryetari i Këshillit Organizativ të Lidhjes së 1878…
Shkruan: Abdullah Klinaku
Hoxha, kryetari i parë i Shqipërisë së katër vilajeteve dhe Sanxhakut!
Ishte Ramazan. Data ishte 12 qershor e viti 1887, kur hoxha i madh i Kombit shqiptar, duke u kthyer në shtëpi, prej xhamisë, ku kishte falur namazin e jacisë dhe të teravive, vritet pranë pragut të shtëpisë ku jetonte, në Ulqin.
Hoxha, myderrizi, lideri politik, myftiu dhe udhëheqësi politik e shpirtëror, ja dorëzoi shpirtin e tij fisnik Zotit të Madh e Bujar, fiks 9 vite pasi që kryesoi Lëvizjen më të rëndësishme për kombin shqiptar, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila vuri themelet e platformës politike shqiptare e më gjerë!
Ai ishte merhum haxhi Ymer Prizreni, e Zoti neve na faltë sa pa drejtësi duke e fshehur të vërtetën për të kemi bërë.
Hoxha i Kombit shqiptar, kishte lindur në vitin 1826, në rrethinën e Prizrenit. Mësimet e para dhe të mesme i kreu në Medresenë “Mehmet Pasha” në Prizren. Ndërsa studimet e larta për drejtësi, filozofi dhe shkenca islame i kreu në Stamboll. Ishte njohës i katër gjuhëve.
Pas studimeve kthehet imam i xhamisë Bajrakli në Prizren. U bë imam në xhaminë e cila do të jetë çerdhe e platformës nacionale dhe shpresë për ri-zgjimin kombëtar gjatë gjithë historisë shqiptare.
Ishte zgjedhur përfaqësues në Parlamentin Osman dy herë, si përfaqësues i sanxhakut të Prizrenit, duke mbrojtur interesat e vendit të tij.
I bindur se “respektimi i tërësisë së tokave shqiptare, bashkimi i tyre në një provincë të vetme, pra, në një vilajet, dhe zbatimi i reformave për përparimin e vendit” është rruga me e mirë për kombin shqiptar.
Në qershorin e vitit 1878, hoxha dhe imami i Xhamisë Bajrakli, me punën dhe angazhimin e tij, arriti t’i bashkojë në xhaminë e tij përfaqësuesit e popullit për formimin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit.
Ai ishte udhëheqësi ideor dhe drejtuesi kryesor i Lidhjes.
Lidhja e Prizrenit, formoi qeverinë e saj autonome, kryetar i së cilës zgjidhet hoxha dhe imami, Ymer Drini apo Ymer Prizreni, apo ashtu siç e njihnin në atë kohë, haxhi Ymer efendiu.
Lidhja e Hoxhës, ishte themeli i formimit, ngritjes dhe përparimit të vetëdijes kombëtare.
Ai, me Lidhjen, formoi platformën kombëtare, të cilën edhe sot e tutje nuk e kemi realizuar në pajtim me amanetin e të parëve tonë!
Haxhi Ymer Prizreni, ishte mistik shumë i madh, madje kryesonte një nga lëvizjet mistike në Kosovë, ku kishte mbledhur dijetarët dhe patriotët më të mirë të kohës.
Ai tërë jetën e kishte për Zotin dhe për kombin e tij!