Xhumaja, mirësitë, roli dhe rëndësia e saj

Xhumaja, mirësitë, roli dhe rëndësia e saj

Falënderimi i plotë i qoftë Allahut, i Cili na udhëzoi në rrugën e drejtë dhe thotë në Kur’anin famëlartë: ) “Përpara jush kanë kaluar praktika të ndryshme. Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si ka qenë përfundimi i përgënjështruesve.Ky është sqarim për njerëzit dhe udhëzim e mësim për të devotshmit.” (3: 137-138).

Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi të Dërguarin tonë, Muhammedin (a.s), i cili ka thënë: “Besimtari nuk e pëson dy herë në të njëjtën gropë.” Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi familjen e Pejgamberit (a.s), mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e tij deri në Ditën e Kiametit.

Dy lloj njerëzish i kanë shkaktuar dhe vazhdojnë t’i shkaktojnë probleme myslimanëve dhe thirrjes islame. Njëri grup janë njerëz injorant, të cilët flasin aty ku nuk duhet të flasin, ose veprojnë atë që nuk duhet veprojnë dhe me këtë gjë i japin pretekst të tjerëve të flasin kundër Islamit.

Grupi tjetër janë njerëz të ditur, të cilët heshtin aty ku duhet të flitet, ose nuk veprojnë atje ku duhet të veprohet. Edhe ky grup shkakton probleme te myslimanët dhe thirrja islame, sepse heshtja në shumicën e rasteve është miratim i asaj që thuhet.

Hudhejfe (r.a) e ka pyetur Pejgamberin (a.s): “…A ka pas këtij hajri sherr? Pejgambei (a.s) iu përgjigj: Po, propagandues nëpër dyert e xhehenemit, kush i përgjigjet atyre, atë do ta hedhin në zjarr.” I thashë: Na i përshkruaj ata njerëz. Tha: “Ata janë nga raca jonë dhe flasin gjuhën tonë.” (Buhariu)

Ky është një realiteti i hidhur, si shume realitet tjera të hidhura, të cilat qarkullojnë sot nëpër mbarë botën islame dhe jo myslimane, duke dëmtuar dhe fyer rëndë Islamin, myslimanët dhe vetë thirrjen islame, veçanërisht në ditët e përkujtimit të dhjetë vjetorit të sulmeve terroriste ndaj dy kullave binjake. “Dhe ata mendojnë se janë duke bërë mirë.” (Kehf: 104)

Duke parë neglizhencën tonë ndaj rolit dhe rëndësisë së xhumasë, sot do të flasim për këtë ditë të madhe, të cilën Zoti (xh.sh) e ka bërë obligim për meshkujt e umetit të Muhammedit (a.s) duke thënë:

O ju që keni besuar kur të bëhet thirrja për namazin e ditës së xhuma, shpejtoni për te përmendja e Allahut dhe lëreni shitblerjen. Kjo për ju është më e mirë, në qoftë se e kuptoni.” (Xhuma: 9)

Ndërsa Pejgamberi (a.s) për ditën e xhuma ka thënë:

Dita më e mirë, në të cilën dielli lindë është dita e xhuma. Në këtë ditë është krijuar Ademi, në këtë ditë ka hyrë në xhenet dhe po në këtë ditë është nxjerrë nga xheneti.” (Muslim)

Prej ditëve tuaja, dita më e mirë është dita e xhuma, prandaj bini sa më shumë salavat mbi mua, sepse salavati juaj ekspozohet tek unë.” (Ebu Davud)

Pesë vaktet e namazit dhe xhumaja deri në xhuma janë pastruese të gjynaheve të bëra mes tyre.” (Muslim)

Në fakt hadithet për mirësinë e xhumasë janë të shumtë, por cila gjë është më e rëndësishme gjatë kësaj dite, namazi dy rekatë që falim në vend të katër rekatëve të drekës, apo ligjërata, ose hytbeja që imam mban në këtë kohë? Po të ishte rëndësia e xhumasë vetëm tek namazi, ne në fakt në xhuma falim më pak rekatë se sa në namazin e drekës. Rëndësia e xhumasë qëndron në ligjëratën e saj, e cila ndryshe quhet hytbe, por për fat të keq kjo rëndësi ka humbur në mesin e myslimanëve, të cilët e kanë kthyer ditën e xhuma ditë ku humbin orët e punës dhe kohën së bashku.

A e pyesim ndonjëherë veten tonë se për çfarë arsye Zoti (xh.sh) dhe Pejgamberi (a.s) e kanë bërë farz prezantimin në xhuma? Në kohën e asnjë namazi tjetër puna nuk është haram, përveç në kohën e namazit të xhuma. Përse?

Në dy librat e saktë transmetohet se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Kush lahet e pastrohet ditën e xhuma pastaj shkon herët në xhami, ai njeri konsiderohet sikur të ketë bërë kurban një deve. Kush shkon i dyti, ai konsiderohet sikur të ketë bërë kurban një lopë. Kush shkon i treti, ai njeri konsiderohet sikur të ketë bërë kurban një dash të madh. Kush shkon i katërti, ai njeri konsiderohet sikur të ketë bërë kurban një pulë dhe kush shkon i pesti, ai njeri konsiderohet sikur të ketë bërë kurban një vezë. Kur imami del për të mbajtur hytben, atëherë engjëjt vijnë dhe dëgjojnë ligjëratën.”

Pra rëndësia e ditës së xhuma qëndron në dëgjimin me vëmendje të ligjëratës së imamit, sa që edhe engjëjt prezantojnë dhe dëgjojnë me vëmendje ligjëratën! Ky është xhemati ynë në momentet që imami fillon ligjëratën? Jashtë, apo në xhami? Jashtë duke bërë biseda të pavlera, ku në shumicën e rasteve janë përgojime dhe  thashetheme, ose duke pirë duhan e kafe e duke ngrënë donats! Allahu e bën detyrë një gjë, ndërsa myslimanët nuk dinë ta vlerësojnë dhe nuk dinë ta shfrytëzojnë.

Po në suren Xhuma Allahut (xh.sh) thotë për Beni Israilët:

Shembulli i atyre që janë obliguar me Teurat e pastaj nuk e kanë zbatuar, i shëmbëllen gomarit që bartë librat. E, sa të këqij janë ata, të cilët i mohojnë argumentet e Allahut! E, Allahu, nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e padrejtë.” (Xhuma: 5) Vërtet myslimani nuk i mohon argumentet e Zotit, por i injorojnë ato duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur.

Çfarë dobie ka një nxënës, i cili shkon në shkollë, por nuk mëson asgjë? Çfarë dobie ka një punëtor, i cili shkon në punë, por nuk i bën dy lek punë? Dhe çfarë dobie ka prej atij myslimani, i cili shkon në xhami ditën e xhuma, por nuk përfiton asgjë prej saj? Ka ndonjë ndryshim mes këtyre njerëzve dhe shembullit që Allahu na jep? Zoti na ruajt dhe na udhëzoftë në më të mirën!

Shumë popuj në botë do ta kishin dëshiruar që të kenë një detyrë propagandistike të tillë javore siç e kemi ne myslimanët. Ata duke ditur rëndësinë e medies, kanë shpikur dhe vazhdojnë të shpikin mjete dhe mënyra nga më të ndryshme, për të ushqyer popullin e tyre me idetë dhe ideologjitë që besojnë. Aq shumë kanë punuar në këtë drejtim, sa që në kohën e komunizmit edhe gurët e drurët, jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët u ushqyen me ideologjinë komuniste.

Ndoshta duhen me dhjetëra e dhjetëra vite për ta çrrënjosur atë ideologji nga mendjet dhe zemrat e njerëzve, ndërsa myslimanët çrrënjosen prej besimit të tyre fare lehtë, ata mendojnë se besojnë drejtë, por në fakt ata nuk punojnë me atë që besojnë. Një gazetar myslimanë ka thënë kështu: “Në se nuk jetoni ashtu siç besoni, atëherë do të besoni ashtu siç jetoni.”

Le t’i kthehemi edhe një herë disa haditheve të Pejgamberit (a.s) në lidhje me mirësitë, rolin dhe rëndësinë e ditës së xhuma, më dëshirën e mirë që këto hadithe të na hyjnë në zemrën dhe në mendje dhe të na shërbejnë për të riparuar dhe ndrequr gabimin dhe neglizhencën tonë ndaj kësaj dite dhe detyre të rëndësishme, të cilën në qoftë se do ta kuptojnë drejtë dhe do ta zbatojmë drejtë, atëherë në mesin e myslimanëve do të shkëlqejë drita e kulturës, qytetërimit, zhvillimit, paqes, bashkimit, tolerancës, mirësisë etj.

O do të ndalen disa njerëz nga largimi i tyre prej faljes së xhumasë, ose Allahu do tua vulosi zemrat e tyre dhe pastaj do të bëhen prej gafilëve, (njerëz të papërgatitur për Ditën e Gjykimit).” (Muslim)

Dita e xhuma e ka një moment, në të cilën në qoftë se myslimani është duke i kërkuar diçka të mirë Allahut në atë moment, Allahu ia jep atë gjë.” (Buhariu)

Çdo mysliman, i cili vdes ditën, ose në natën e xhuma, Allahu e mbron prej sprovës së varrit.” (Ahmed dhe Tirmidhiu)

Nuk ka engjëll të afërt, ose qiell, tokë, erë, mal dhe det, përveç se është i përmalluar për ditën e xhuma.” (Ahmed)

Lavdi i qoftë Allahut, çdo gjë është e përmalluar për ditën e xhuma, përveç njeriut, i cili vazhdon të jetë kokëfortë, vjen në xhuma pa asnjë qëllim, thjesht vetëm për të kaluar kohën.

Që të përfitojmë nga kjo ditë dhe mirësi e Allahut duhet që kur të dalim nga shtëpia të bëjmë nijet se po shkojmë në xhami të dëgjojmë me vëmendje ligjëratën, të mësojmë prej saj dhe të mundohemi ta praktikojmë në jetën tonë të përditshme, në familje, në shkollë, në punë, në rrugë dhe kudo që të ndodhemi. Në qoftë se nuk vijmë me këtë nijet në xhami, atëherë ne ia kemi humbur funksionin e kësaj dite. Aq e rëndësishme është dëgjimi me vëmendje dhe përqendrim gjatë ligjëratës, sa që nuk bën ta prekësh, apo t’i thuash hesht vëllait që ke pranë teje.

Në qoftë se i thua shokët tënd hesht, në ditën e xhuma kur imami është duke ligjëruar, ti ke fol kot” (dhe kush flet kot, ai nuk ka xhuma). (Buhariu) A lejohen fjalët e kota kur jemi duke falë namaz? Jo, nuk lejohen. Edhe hytbja e xhuma është sikur namazi kanë thënë dijetarët, në të cilën nuk lejohen fjalët e kota.

Ndërsa ne, jo vetëm që nuk i mbyllim telefonat, por edhe flasim me to gjatë kohës që imami është duke mbajtur hytben! A e kemi xhumanë në rregull? Allahu na i faltë gabimet.

Vëllezër dhe motra besimtarë, a nuk i shikojmë të gjitha këto mirësi që ka dita e xhuma, të cilat Allahu (xh.sh) i ka dhuruar për robërit e Tij besimtarë? A duhet që njeriu i mençur të largohet prej tyre? Përse të mos tregohemi të kujdesshëm në këtë ditë, të vijmë sa më herë që kemi mundësi në xhami, të lexojmë suren Kehf, të përmendim Alllahun, të bimë salavat mbi Pejgamberin (a.s), të bëjmë lutje për hallet dhe nevojat tona që kemi?

O ju që keni besuar, mos vdisni vetëm se si myslimanë.” “Dhe binduni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, në mënyrë që të shpëtoni.”

O Allah, na fal neve dhe vëllezërit tanë dhe mos na bë smirë në zemrat tona për popullin besimtarë. Amin/ Imam Lavdrim Hamja