Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, kujton 15 vjetorin e protestave kundër Pakos Ahtisari ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini dhe 80 pjesëmarrës të tjerë u plagosën, transmeton Kosova Post.
Me këtë rast, Zaimi, shkruan se protesta ishte paqësore në kundërshtim të pakos e cila premtonte vetëm pavarësi të kufizuar për Kosovë.
Zaimi , thotë se “Ajo protestë dhe sakrifica e Monit e Arbenit, shtroi rrugën ku gjithkush mund të ecë drejt gjithmonë”.
“Moni e Arbeni u vranë në protestën paqësore të 10 shkurtit 2007. Mbi 80 u plagosën, ndër ta me pasoja për gjithë jetën Zenel Zeneli, Mustafë Nerjova dhe Hysni Hyseni i cili ndërroi jetë para dy vitesh.Ajo protestë dhe sakrifica e Monit e Arbenit, shtroi rrugën ku gjithkush mund të ecë drejt gjithmonë. Veç a ke vullnet, forcë e ndershmëri. Duke kujtuar me respekt ata që ecën drejt edhe përballë plumbave, është më e lehtë sot të ecësh drejt përballë atyre që në vend të plumbave përdorin fjalët e shpifjet”, ka shkruar Zaimi.
Tutje shkruan Zaimi se “Disa muaj pas protestës, OKB-ja ndaloi përdorimin e plumbave të gomës kundër protestuesve nga misionet e saj kudo në botë – ky ishte kontributi i parë, global, i protestës së 10 shkurtit”.
“Një vit pas protestës u shpall pavarësia e Kosovës, pa u përmendur kufizimi, dhe kjo ishte arritja e dytë, kombëtare e protestës së 10 shkurtit.
Për më tepër Zaimi, shkruan se “Në 15 vitet në vazhdim politikanë të korruptuar e servilë bënë çmos në prapaskena që kufizimin e pavarësisë gradualisht ta kthejnë në skenë, duke e zvogëluar sovranitetin e Kosovës e duke ia rritur hisen Serbisë në lidhje me vendimmarrjen ndërkombëtare për Kosovën”.
“Çka u bë keq për 15 vite nuk mund të rregullohet për 1 ditë e as për 1 muaj. Shkatërrimi e plaçkitja si rregull merr më pak kohë se ndërtimi e rregullimi. Por hapa të rëndësishëm janë hedhur, beteja të mëdha janë fituar, e nëse ecja drejt vazhdon, pa vendosur egoizmin mbi kolektiven, do të arrihet edhe përmbushja e idealit të protestuesve të 10 shkurtit”, ka shkruar Zaimi në Facebook.
Postimi i plotë:
Moni e Arbeni u vranë në protestën paqësore të 10 shkurtit 2007. Mbi 80 u plagosën, ndër ta me pasoja për gjithë jetën Zenel Zeneli, Mustafë Nerjova dhe Hysni Hyseni i cili ndërroi jetë para dy vitesh.
Ajo protestë dhe sakrifica e Monit e Arbenit, shtroi rrugën ku gjithkush mund të ecë drejt gjithmonë. Veç a ke vullnet, forcë e ndershmëri. Duke kujtuar me respekt ata që ecën drejt edhe përballë plumbave, është më e lehtë sot të ecësh drejt përballë atyre që në vend të plumbave përdorin fjalët e shpifjet.
Protesta e 10 shkurtit u bë kundër pakos së Ahtisarit, e cila premtonte vetëm pavarësi të kufizuar për Kosovën.
Disa muaj pas protestës, OKB-ja ndaloi përdorimin e plumbave të gomës kundër protestuesve nga misionet e saj kudo në botë – ky ishte kontributi i parë, global, i protestës së 10 shkurtit.
Një vit pas protestës u shpall pavarësia e Kosovës, pa u përmendur kufizimi, dhe kjo ishte arritja e dytë, kombëtare e protestës së 10 shkurtit.
Vite më vonë paneli për të drejta të njeriut brenda UNMIK doli me vendimin se dhuna e ushtruar mbi protestuesit ishte joproporcionale dhe e padrejtë, duke shkelur të drejtat e tyre. Ende UNMIK nuk po pranon të mbajë përgjegjësi për rastin, dhe fatkeqësisht policët ndërkombëtarë që qëlluan e vranë protestuesit paqësorë, nuk janë ndëshkuar por janë kthyer në vendin e tyre të origjinës dhe janë dekoruar. Asnjë subjekt tjetër politik veç Vetëvendosjes nuk e ngriti zërin për këtë çështje, gjë që tregon sa rëndësi kanë për ta drejtësia e të drejtat e njeriut.
Në 15 vitet në vazhdim politikanë të korruptuar e servilë bënë çmos në prapaskena që kufizimin e pavarësisë gradualisht ta kthejnë në skenë, duke e zvogëluar sovranitetin e Kosovës e duke ia rritur hisen Serbisë në lidhje me vendimmarrjen ndërkombëtare për Kosovën.
Çka u bë keq për 15 vite nuk mund të rregullohet për 1 ditë e as për 1 muaj. Shkatërrimi e plaçkitja si rregull merr më pak kohë se ndërtimi e rregullimi. Por hapa të rëndësishëm janë hedhur, beteja të mëdha janë fituar, e nëse ecja drejt vazhdon, pa vendosur egoizmin mbi kolektiven, do të arrihet edhe përmbushja e idealit të protestuesve të 10 shkurtit.