Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi ka thënë se Shqipëria si anëtare e KS në OKB do duhej të thërriste mbledhje urgjente për të diskutuar situatën në veri, apo siç ka shkruar ai ‘kërcënimet serioze të Serbisë’, raporton KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Zaimi ka shtuar se krahas Shqipërisë, do duhej të mblidheshin edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shkup e Podgoricë, për të qenë ‘kundër përsëritjes së historisë tonë’.
Postimi i plotë:
Shqipëria si anëtare e KS të OKB do të duhej të thërriste mbledhje urgjente për të diskutuar kërcënimet serioze të Serbisë me ushtrinë e grumbulluar pranë kufijve të Kosovës dhe me “zelyonye chelovechki” që vendosin barrikada brenda në Kosovë.
Vuçiqi po përsërit në këtë dhjetor formulën që ndiqte Putini në dhjetorin e kaluar.
Qytetarët e Shqipërisë, pa dallim partie, do të duhej të protestonin kundër këtyre veprimeve luftëndjellëse te ambasada e Serbisë në Tiranë.
Por edhe qytetarët e Maqedonisë e të Malit të Zi, pa dallim etnie e partie, do të duhej të protestonin te Ambasadat e Serbisë në Shkup e Podgoricë, kundër përsëritjes së historisë në rajonin tonë.
Madje edhe qytetarët serbë do të duhej të protestonin në Beograd kundër frymës së Millosheviqit dhe Putinit, për një Serbi të demokratizuar e paqësore. Është mjerim që autokrati Vuçiq, bashkëpunëtor i mafias ballkanike, vetëm pse trembet nga dialogu e nga propozimi franko-gjerman për marrëveshje, të marrë më qafë popullin e vet njësoj siç e mori Sllobodani në vitet ‘90.