Ditën e djeshme, ndërsa një operacion i zgjeruar në disa rajone të Kosovës kundër kontrabandës me mallra, po kryhej nga ana e Policisë së Kosovës, në veri të vendit, u manifestua me disa incidente, transmeton Kosova Post.
Operacioni i shtrirë në rajonet: Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë Jugore, u realizua me sukses, ndërsa në pjesën veriore të Mitrovicës, hasi në një rezistencë të grupeve kriminale.
Sipas raportit 24 orësh, policia ka njoftuar se Drejtoria e Hetimit të Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, të asistuar nga njësi të ndryshme relevante policore, me urdhëresë lëshuar nga gjykatat kanë kontrolluar-bastisur në lokacionet e cekura me qëllim luftimin e kontrabandës.
“Gjatë operacionit në disa lokacione të ndryshme , shtëpi banimi dhe lokale të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar: mallra të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale në vlerë prej qindra- mijëra €. Gjatë realizimit të operacionit në Mitrovicën veriore dhe Zveçan nga një grup protestuesish duke i sulmuar dhe penguar në kryerje të detyrës kanë bllokuar rrugët me mjete transportuese, përdorë armë zjarri, granata dore, bombola gazi, bomba shokuese e tjera, me ç rast lëndime trupore kanë pësuar dhjetë zyrtar policorë, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në disa automjete zyrtare”, thuhet në raport.
Bilanci përfundimtar i këtij aksioni ishte: tetë të dyshuar meshkuj, pesë prej të cilëve pas intervistimit janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Ndërsa 10 të dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim, rasti është ende duke u hetuar./KosovaPost/