Në prag të vizitës së presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Tiranë, Report Tv ka zbardhur axhendën. Erdogan do të mbërrijë në Tiranë në datë 17 janar rreth orës 09:00, ku do të pritet nga kryeministri Edi Rama në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’.
Pas pritjes në aeroport, presidenti Turk do të niset drejt Laçit për të inauguruar 524 apartamente të financuara nga qeveria turke pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.
Burime për gazetarin Ermal Qori bëjnë me dije se Erdogan rreth orës 14:00 do të mbërrijë në Tiranë, ku do të ketë një konferencë për shtyp me kryeministrin Rama.
Fundi i axhendës së vizitës së Erdogan është mbajta e fjalës përshëndetëse në Kuvendi, në orën 17 00, teksa parashikohet që rreth orës 18:30 të niset për në Turqi.
Ashtu siç kishte premtuar presidenti turk Erdogan do të vijë në Shqipëri për të parë nga afër frytet e ndihmës së shtetit turk për rindërtimin. Erdogan do të inaugurojë 524 apartamente në Bashkinë e Kurbinit të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, që tashmë kanë përfunduar dhe janë gati të presin familjet në janar 2022.