I biri i presidentit Joe Biden, Hunter Biden, kishte planifikuar një takim për investime me presidentin e atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiq, dhe me “individë të pasur” dhe kishte planifikuar që të organizonte një udhëtim me veturë me atëherë nënpresidentin e ShBA-së, Joe Biden, kur ai kishte udhëtuar në Evropë për një vizitë zyrtare, sipas dërgesave elektronike të zbuluara së fundi, shkruan KosovaPost.net.
Shkrimet elektronike tregojnë se Mark Doyle, që më parë kishte shërbyer si këshilltar i lartë për Joe Bidenin, atëherë senator, dhe si drejtor për financa kombëtare në kandidaturën e pasuksesshme të Bidenit për president më 2008, kishte vënë kontakte me Hunter-in më 16 prill 2010, për t’i thënë se ishte takuar me shefin e stafit të presidentit të atëhershëm serb dhe se ata kishin pyetur për shprehjen e interesit të Bidenit të ri për organizimin e një takimi.
Raportohet se Hunter ishte takuar me ambasadorin serb në Shtetet e Bashkuara, Vladimir Petroviq, dhe me këshilltarin e Tadiqit për siguri kombëtare, Jovan Ratkoviq, dy muaj më parë.
Doyle tha se ambasadori donte që të organizonte një “ditë të plotë” me Tadiqin dhe me “investitorët e mundshëm”, të cilët i përshkruante si “njerëz shumë seriozë”, sipas shkresave elektronike.
Sipas “Fox News”, një shkresë elektronike e ambasadorit të atëhershëm serb në ShBA, Vladimir Petroviq, dërguar djalit të presidentit Biden, Hunter Biden. Në shkresë, Petroviqi i thoshte Hunter-it se mezi prisnin që ai ta vizitonte Serbinë.
Një shkresë elektronike e dërguar një javë më vonë nga partneri i Hunter-it në biznes, Eric Schwerin, vë në pah se i biri i Bidenit donte ta organizonte takimin menjëherë pas vizitës në Madrid me babanë e vet.
Më 29 prill të vitit 2010, Hunter i kishte dërguar një shkresë ambasadorit duke thënë se ka pasur një ndryshim në orarin e tij dhe se nuk ishte i sigurt nëse mund ta bëjë takimin në maj, duke shtuar se donte që të përpiqej për ta realizuar vizitën në muajt në vijim.
Nuk është e qartë nëse Hunter-i përfundimisht kishte udhëtuar për në Serbi dhe nëse ishte takuar me investitorët.
Sipas televizionit “Fox News”, Hunter kishte mbajtur kontakte me ambasadorin e atëhershëm serb, Vladimir Petroviq, pasi ky i fundit ishte larguar nga posti i ambasadorit dhe ishte bërë lobues në Uashington.
Hunter Biden nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës së “New York Post”-it për koment rresh shkresave elektronike me ish-ambasadorin serb.