Policia e Kosovës ka pranuar informacione se në rajonin e Gjakovës, konkretisht në zonën e Koshares në kufi me Republikën e Shqipërisë dyshohej për mbjellje dhe kultivim të bimëve narkotike.
Policia njofton se për rastin janë ndërmarr veprime konkrete policore përfshirë aplikimin e vëzhgimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së zonës.
“Sot njësitet policore të SPMK në Ponoshec rreth orë 05:20 gjatë realizimit të detyrave të tyre në atë zonë pranë dy parcelave ku ndodheshin bimët e dyshuara narkotike kanë ndaluar dhe identifikuar një person të dyshuar mashkull (A.H.) shtetas i Shqipërisë.
I dyshuari i lartcekur është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe me urdhër të prokurorit kompetent ndaj tij është iniciuar rast, përderisa i njëjti ndalohet për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore”, njofton policia.
Në vendin e ngjarjes (lokacioni mbi fshatin Koshare), janë zbuluar dy parcela me gjithsej (317) bimë narkotike të dyshuara kanabis sativa, me madhësi nga 50cm deri në 100 cm .
“Nga njësitet kompetente është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes, përderisa me urdhër të prokurorit kompetent është bërë shkatërrimi (djegia) e bimëve në vend të sigurt dhe duke ndërmarr masat e nevojshme për lokalizim dhe mbikëqyrje të kontrolluar të zjarrit në këtë periudhë.
Vlen të potencohet se për shkak të rrezikshmërisë së lartë, konfiguracioni të terrenit dhe se vendi i ngjarjes ndodhej afër vijës kufitare me Republikën e Shqipërisë asistencë relevante është ofruar nga Policia e Shtetit Shqiptar”, përfundon njoftimi i tyre.