Zëvendësambasadori amerikan, Demian Smith, mbërriti në selinë e PD-së, këtë të enjte. Vizita vjen në një kohë kur një pjesë e deputetëve dhe anëtarësisë së PD kërkojnë largimin e Lulzim Bashës, të cilin nuk e konsiderojnë më kryetar të partisë, pasi e kanë shkarkuar në kuvendin e 11 dhjetorit.
Më herët gjatë ditës, dy grupe të ndryshme u përpoqën të futeshin në selinë e PD-së, por e gjetën derën e mbyllur. Zyrtarisht, sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi, tha për mediat se në seli po kryhen punime dhe kushdo që dëshiron të futet duhet të njoftojë përmes telefonit administratën.
Më 8 janar, pjesëtarët e PD-së që pretendojnë se e kanë shkarkuar Bashën në kuvendin e 11 dhjetorit, kanë thërritur një protestë para selisë. Sali Berisha, në një intervistë për A2 CNN deklaroi se atë ditë, anëtarësia do të bëjë rolin e përmbaruesit të vendimit dhe do ta nxjerrë Bashën qetësisht nga zyra. Basha dhe një pjesë tjetër e PD-së nuk e njohin kuvendin e 11 dhjetorit. Ata organizuan një tjetër kuvend, më 18 dhjetor, ku votuan për të larguar nga funksionet drejtuese të partisë personat e shpallur “non grata”.a2newscnn.