Kandidati për deputet në Kuvendin e Serbisë nga “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, Shaip Kamberi, ka kërkuar që zgjedhjet në Luginë të Preshevës të përsëriten, pasi sipas tij procesi nuk ishte i lirë, as demokratik, transmeton KosovaPost.
Megjithëse në zgjedhjet e 3 prillit “Koalicioni I Shqiptarëve të Luginës” ka marrë mbi 9600 vota, Kamberi tha se nuk janë garanci se mund të fitojnë një mandat.
“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” i përbërë nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9644 përkundër vështirësive të shumta me të cilat u përball në këtë proces zgjedhor”, ka thënë Kamberi në një postim në Facebook.
Sipas tij, zgjedhjet e fundit në Serbi të datës 3 prill u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë.
“Pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve që rezultoi me shlyerjen e tyre nga listat zgjedhore deligjitimoi procesin zgjedhor, sidomos në Luginën e Preshevës”, tha ai.
“Shumë shqiptarëve i është pamundësuar e drejta elementare. E drejta për të votuar. Kjo e bënë procesin zgjedhor jodemokratik. Zgjedhjet jo të lira”, ka thënë Kamberi.
Prandaj, Kamberi ka thënë se zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës.