Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi sot se janë ndaluar dy persona lidhur me rastin e zhdukjes së biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi, por pa dhënë detaje të tjera lidhur me rastin.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohen për veprën penale “rrëmbimi”, derisa u tha edhe se janë sekuestruar disa prova materiale.
Express merr vesh nga burime se dy personat që janë ndaluar janë vëllau dhe kunata e Jeton Vllasaliut, personit që po mbahet në paraburgim si i dyshuar për rrëmbimin e Rexhepit.
“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë ndaluar dy (2) persona lidhur me rastin e zhdukjes së personit me inicialet B.R. Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se dy (2) personat janë ndaluar për veprën penale “Rrëmbimi” nga neni 191 të KPRK-së.
Po ashtu, me rastin e arrestimit të këtyre dy personave janë sekuestruar edhe disa prova materiale të cilat do të shërbejnë për procedurë të mëtutjeshme penale”, thuhet në njoftim.
Çka dihet deri më tani për zhdukjen e Bedri Rexhepit?
Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.
Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij.