Kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiç, i ka dërguar një urim Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Uroj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe juve personalisht, në emrin tim dhe të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Gëzuar Ditën e Pavarësisë.
Të inkurajuar dhe të kënaqur nga përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mike, jemi të bindur se rruga e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe çdo tjetër bashkëpunimi dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës do të jetë e një rëndësie të veçantë për qytetarët e vendit tonë në një të ardhme të afërt.
Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika e Kosovës ndajnë prioritete të përbashkëta strategjike të politikës së jashtme, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Vetëm së bashku dhe në bashkëpunim me partnerë që ndajnë të njëjtat vlera mund të arrijmë qëllimin tonë”, thuhet në mesazh.