Zogjani i bindur se Fushë Kosovën do t’ia marr LDK-së pa balotazh

Kandidati i Partisë Demokratike Adem Zogjani është i bindur se qytetarët e Fushë Kosovës tani më kanë vendosur për kryetarin e ardhshëm të tyre që do ta zgjedhin me 22 tetor pa pasur nevojë fare për balotazh, duke aluduar tek emri i tij. Sipas Zogjanit, në ketë rast qytetarët do ta bënin zgjedhjen e duhur, sepse PDK ka platformën më të mirë që ofron për qytetarin e jo një kryetar siç ishte ai i LDK-së të cilit i teproi buxheti prej 90 mijë euro .

Zogjani e sheh vetën kandidatin më të fortë karshi kandidaturave tjera që ka Fushë Kosova, andaj ai siguron vendasit e tij se do ta kenë një kryetar që do bashkëjetoj me problemet e qytetarëve dhe duke i zgjidhur ato së bashku. Ai mes tjerash në një intervistë për Kosova Post ka premtuar edhe hapjen e 2300 vendeve të reja të punës dhe një spital regjional në Fushë Kosovë.

Kosova Post: Jemi në javët e fundit të përmbylljes se fushatës elektorale, a mund ta dijmë si është disponimi për mbështetje të kandidaturës suaj?

Zogjani: Është e vërtet se ne jemi para fundit të fushatës, kur qytetarët kanë filluar të përcaktohen për zgjedhjet e 22 tetorit dhe jam i bindur se Fushë Kosova do të ketë ndryshime dhe këto ndryshime do të vijnë në favor të Partisë Demokratike, sepse e ka platformën me të përshtatshme për qytetarin e kësaj komunë. Fushë Kosova ka problem çoftë me ujin dhe fatkeqësisht kjo komunë 20 vite pas luftës ka problem me ujin edhe pse ujësjellësin e ka shumë afër, ka hallin e parkingjeve, parqeve. Pra, mund të themi se asgjë s’ka punuar kjo qeveri pos shtrimit të asfaltit. Na nuk hamë asfalt edhe pse na duhet gjithsesi,  por neve na duhet një jetë më e mirë dhe jo jetë e gërditshme për qytetarin.

Ju i shihni para meje ndërtimet katrahurë që janë ndërtuar dhe që qeveria aktuale është munduar që ti paraqes si projekte të veta edhe pse këto janë investime vetanake të bizneseve dhe këto tani për tani janë të shtrënguara  nga presionet për leje të ndërtimit. Pra, nuk është respektuar raporti 50 me 50. Ka mjaftë probleme që qytetarët kërkojnë zgjedhje andaj mendoj se këto probleme do të zgjidhen me platformën tonë.

Kosova Post: Çka dallon platforma juaj me atë të kandidatëve tjerë?

Zogjani: Platforma jonë është dukshëm e dalluar me të tjerët. Ne ofrojmë programe të realizueshme e jo fantome sa për të mbushur mendje. Ne parashohim automatikisht 2300 vendeve të punës. Ne qysh në seancën e parë do të kërkojmë marrjen e vendimit të hapjes se një ndërmarrje publike banesore që  automatikisht do të ofrojë 250 vende të punës që do të merret me mirëmbajtjen e objekteve qoftë në fushata qoftë në qytet. Ne po ashtu do ta bëjmë kërkesën që na është lejuar nga instacat përkatëse për ndërtimin e një spitali regjional që do të shkarkojë spitalin e përgjithshëm të Prishtinës. Kjo nismë nuk është vetëm në të mire të qytetarëve të Fushë Kosovës, por edhe qyteteve tjera si Drenasi Obiliqi e Lipjani  me fshatrat përreth që të kenë një spital i cili pos ofrimeve shëndetësore mundëson edhe hapjen e vende të reja të punës. Shëndetësia tek ne është në pikën zero me kushte të mjerueshme me një autoambulancë pothuajse jashtë funksionit dhe një Opel Corsa për lëvizje.

Kjo qeverisje qe ka qenë deri me tani në Fushë Kosovë nuk ka ditur të menaxhojë siç duhet me buxhetin  e kjo tregon më së miri edhe shumën prej 90 mijë euro suficit të mbetura për vitin e kaluar në vend që të hynë në shpenzime kapitale.

Kosova Post: A do të arrijë Adem Zogjani t’ia sjellë PDK-së pushtetin në Fushë Kosovë pas shumë vitesh qeverisje siç e ka pasur Lidhja Demokratike?

Zogjani: Nuk është çështja tek Adem Zogjani, por çështja është tek qytetarët, ne nuk jemi në garë me asnjë parti politike, nuk jemi në garë me asnjë nga kandidatët që janë tani, ne jemi në garë së bashku me qytetarët dhe Partia Demokratike është mbështetja, ajo që më bënë mua më të fortë, me programin dhe forcën e ndryshimit që pushteti të ju kthehet në shërbim qytetarëve, dhe unë jam i sigurt që ky pushtet do të u kthehet në të mirën e qytetarëve.

Kosova Post: A besoni se do të ketë balotazh apo do të jeni fitues qysh në raundin e parë?

Zogjani: Sipas kontakteve që kam unë besoj që do të kaloj në raundin e parë.

Kosova Post: Gjatë kontakteve që i keni pasur me njerëz të ndryshëm, cilat kanë qenë hallet më të shumta që i kanë përmendur qytetarët dhe që kanë kërkuar prej jush si kryetar i ardhëm t’ua zgjidhni këto halle?

Zogjani: Në radhë të parë ujë nuk kemi, asnjë fshat nuk ka ujë të pijshëm, ne ja ku jemi afër Prishtinës afër ujësjellësit, nuk kemi parkingje të mjaftueshme, nuk kemi stimulim të subvencioneve do të thotë të barabartë, por i kemi vetëm në forma partiake, do të thotë nëse i përket subjektit mund të marrësh, por edhe këto subvencione nuk janë të mira, sepse edhe këtu duhen disa kritere, nuk duhet të jepen subvencione individuale, por duhet të shkohet në subvencione për prodhimin komercial për tregun, do të thotë të ijepet diçka më shumë që të ketë edhe tregu e jo vetëm individi.

Ne kemi raste tani që vijnë disa informata nga qytetarët se qeveria aktuale merr lopë nga donatorët po supozojmë janë 200 apo 300, ku 100 copa i’u shpërndahen njerëzve dhe 100 copa të tjera nuk dihet as ku shkojnë.

Kosova Post:  A do të jetë Adem Zogjani një kryetar i cili jeton me hallet e qytetarëve apo një kryetar i hekurt?

Zogjani: Vendimi që unë e kam marrë, nuk e kam marrë vetëm, por me kërkesat e qytetarëve dhe pëlqimin e familjes, por unë do të jem një kryetar për gjithë qytetarët dhe u’a them sinqerisht se në momentin kur unë do të certifikohem si Kryetar i Komunës, unë do ta lëshoj Universitetin dhe nuk do të punoj më si pedagog.

Kosova Post: Cilin nga kandidatët e tjerë e shihni si konkurrentin më të fortë?

Zogjani: Asnjë! Për pjesën menagjeriale jam unë, vota pastaj është si diçka tjetër. Unë nuk e ndiej vetën të rrezikuar nga asnjëri prej tyre, megjithatë vota mund të manipulohet, mund të blihet, sepse pushteti aktual e ka mundësinë edhe materiale, sepse ata po mundohen që përmes dhënies së ndihmave materiale ta blejnë votën, dhe qytetarët duhet ta kuptojnë këtë se ajo ndihmë e cila i’u jepet ajo është nga taksapaguesit, dhe kjo i’u kthehet në shërbim, sepse qëllimi dhe misioni i Kuvendit Komunal dhe i gjithë Qeverisë Komunale është që taksat të kthehen në shërbim të qytetarëve dhe në këtë rast ata bëjnë përpjekje ti mashtrojnë qytetarët, do të thotë në njërën anë i marrin taksat në tjetrën anë i’u japin shërbime dhe me atë shërbime prapë i’a marrin votën, me parat e tyre që ata i paguajnë faktikisht ju japin edhe votën, dhe unë besoj që kësaj radhe kjo nuk do të ndodhë, dhe kam bërë apel se çfarëdo që i’u japin merrjani, sepse ato janë tuajat, nuk janë të pushtetit aktual, asnjëri nuk i jep prej buxhetit familjar, janë para të taksapaguesve ose donatorëve. /Kosova Post/

 

© KosovaPost.net Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like

LDK mbanë konferencë në mëngjes, Isa Mustafa do të votoj në këtë qendër votimi

Nesër, në orën 08:00, në Sallën e Konferencave