Zëvendës ministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri zbuloi sot, gjatë vizitës në Kanada, një detaj nga vizita që pati në Niagara Falls City, gjatë së cilës i ka kërkuar që emri i një rruge apo sheshit të mbajë emrin e e Nënës Teresa, njofton Kosova Post.
Ja postimi i tij i plotë:
“Mother Teresa” do të jetë emri i një rruge a sheshi në Niagara Falls City.
Kështu u morëm vesh me kryetarin Jim Diodati.
Bashkë me konsulin e Republikës së Kosovës z. Kadri Dakaj dhe zyrtarin Visar Çelaj patëm një takim të frytshëm me kryetarin energjik të qytetit rrëzë ujëvarave më të mëdha në planet.
Pak para nesh në atë zyrë e kishte takuar ambasadorin e SHBA në Kanada z. David Cohen. Na tregoi se aty ishte ulur më parë edhe Zelensky si dhe plot presidentë, mbretër e kryeministra.
Niagara Falls e ka GDP rreth 11 miliard euro, pra pak ma shumë se Kosova, ndonëse popullsia është jo më shumë se 93.000 veta. Së shpejti do ta ketë edhe universitetin e madh të saj.
U pajtuam poashtu për projekte binjakëzimi me komuna të Kosovës dhe bashkëpunim në fushat e kulturës, arsimit e shkencës. Shkëmbyem dhurata dhe e ftuam z. Diodati që ta vizitojë Kosovën. Mes dhuratave – edhe abetarja e kryeqytetit të Kosovës e cila ia zgjoi kureshtjen për vendin tonë”.