Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, ka publikuar ‘Opinionin Ligjor’, në lidhje me çështjen e së drejtës së auditimit të pasqyrave financiare vjetore, të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), nga ana e Zyrës Kombëtare të Auditimit, shkruan Kosova Post.
Kërkesa për këtë opinion, u adresua javë më parë, kur në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, përkatësisht në mbledhjen e mbajtur më 26.05.2021, u shqyrtua Raporti i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit, për vitin 2020.
Në këtë mbledhje, gjatë diskutimeve, është vënë në mëdyshje se Zyra Kombëtare e Auditimit nuk e ka kryer obligimin kushtetues sa i përket auditimit të pasqyrave vjetore financiare të RTK-së.
Për rrjedhojë, çështja që kërkoi sqarim përmes opinionit ligjor qe kjo: Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi, a ka të drejtë Zyra Kombëtare e Auditimit të bëjë auditimin e pasqyrave vjetore financiare RTK-së?
Në dokumentin e siguruar nga Kosova Post, thuhet se kërkesa për opinion, është analizuar duke u bazuar në dispozitat e Kushtetutës së Republikës, Ligjin Nr.03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, duke përfshirë Plotësim/Ndryshimet e tij, Ligjit Nr.05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, Ligjin Nr.07/1-041 m/L-46 për Radiotelevizionin e Kosovës.
Duke u mbështetur mbi këto referenca ligjore, Drejtoria për Shërbime Juridike dhe Përafrim të Legjislacionit, ka ardhur në përfundim se Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, “ka kompetenca të pakufizuara lidhur me auditimin e çdo institucioni publik…”
Për më shumë, shihni dokumentin: