Zyrtarët e SHBA-së dhe Katarit janë takuar në Doha për të diskutuar lidhur me përpjekjet për marrëveshjen e re të shkëmbimit të pengjeve mes Hamasit dhe Izraelit, transmeton Anadolu.
Sipas faqes së lajmeve “Axios” me bazë në SHBA dhe e cila e bazon lajmin në tre burime të pacituara, thuhet se në Doha u takuan përfaqësuesi special i presidentit të SHBA-së, Joe Biden për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Brett McGurk dhe kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al thani.
Në takim u diskutua për tensionet rajonale dhe përpjekjet për sigurimin e shkëmbimit të pengjeve mes Hamasit dhe Izraelit. Sipas burimeve, bëhet e ditur se në fillim të kësaj jave rifilluan bisedimet të cilat ishin pezulluar nga Hamasi pasi Izraeli vrau në Bejrut, Saleh al-Arourin, një nga drejtuesit e nivelit të lartë të Hamasit.
Ndërkohë nga qeveritë në Washington dhe Doha nuk ka ndonjë deklaratë lidhur me bisedimet.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në kuadër të turit të tij në rajon, pas Türkiyes dhe Greqisë vizitoi Jordaninë, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Arabinë Saudite dhe Izraelin. Dje Blinken u takua me presidentin izraelit Isaac Herzog, kryeministrin Benjamin Netanyahu, ministrin e Jashtëm Israel Katz dhe anëtarët e Kabinetit të Luftës.
Gjithashtu u njoftua se Blinken zhvilloi takime lidhur me pengjet në Gaza edhe me krerët e institucioneve të inteligjencës në Izrael. Blinken dje u takua edhe me familjet e disa pengjeve që mbahen në Gaza. “Jemi fokusuar në mënyrë intensive për të sjellë në shtëpi pengjet e mbetura në Gaza”, tha ai.