Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka zhvilluar një takim me banorët e lagjes Taukbahçe, ku mori pjesë edhe alpinistja e njohur, Uta Ibrahimi.
Ai tha se fushata e tij po zhvillohet përmes bashkëbisedimeve të drejtpërdrejta me qytetarët, nga të cilat merr energji, por edhe dëshmi të qarta se banorët ndihen të neglizhuar nga niveli lokal i qeverisjes.
Në diskutimin me banorët, Çeku u ndal te problemet e përditshme të lagjes dhe te potenciali i madh i bizneseve lokale, të cilat, sipas tij, mungojnë në përkrahje.
Ai prezantoi disa nga zgjidhjet konkrete për këtë lagje: rregullim rrugësh dhe trotuareve, vendosje të ndriçimit publik, mbështetje për bizneset lokale përmes fondeve e lehtësirave, si dhe sigurim të shërbimeve komunale të qasshme në nivel lagjeje.
“Taukbahçe, si shumë lagje të tjera, ka nevojë për shërbime të afërta, infrastrukturë të mirë dhe hapësira për komunitetin. Prishtina duhet të jetë një qytet që funksionon për secilin, me lagje të gjalla, të mbështetura dhe me zgjidhje të qarta për sfidat e përditshme,” tha Çeku.


























