Nga 25 lojtarët e ftuar për ndeshjet e shtatorit nga përzgjedhësi Franco Foda, plot 9 prej tyre kanë luajtur në Kosovë, para se të transferoheshin jashtë vendit.
Të vetmit që u larguan nga skuadrat e gjeneratave të reja, janë Edon Zhegrova dhe Emir Sahiti. I pari nga Prishtina, i dyti prej Trepçës’89, raporton Klankosova.tv.
Sahiti ndonëse u ftua edhe nga skuadra e parë e Trepçës ’89, nuk ka zhvilluar ndonjë minut për mitrovicasit.
Milot Rashica e la futbollin e Kosovës nga Vushtrria, kurse sot mbron ngjyrat e skuadrës së madhe turke, Beshiktash.
Amir Rrahmani luante me Drenicën në Superligë, kurse aktualisht qëndron në njërin prej klubeve më të mëdha në Itali. Madje me Napolin, kapiteni i kombëtarës së Kosovës u shpall edhe kampion në Serie A.
Ishte sulmues i Lirisë së Prizrenit, por sot Vedat Muriqi po ‘bombardon’ portat e gjigantëve botërorë. Së fundmi i realizoi Real Madridit.
Me Prishtinën u shpall kampion në Kosovë, tani Visa Bekaj mbron portën e Hataysporit në elitën e futbollit të Turqisë, njofton Klankosova.tv.
Kampioni aktual i Superligës, ka numrin më të madh të lojtarëve që mbrojtën ngjyrat e këtij klubi, para se ta lëshonin Kosovën. Ermal Krasniqi dhe Albion Rrahmani nga Ballkani u larguan drejt Rumanisë, kurse sot me Spartën e Pragës gjenden në finalet e Ligës së Kampionëve.
Ndërkaq së fundmi nga qyteti i Suharekës u largua edhe Lumbardh Dellova, që po mbron ngjyrat e 31 herë kampionit të Bullgarisë, CSKA Sofia.
Të vetmit që ende luajnë në Superligën e Kosovës dhe që kanë marr ftesë nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, janë Lindon Emerllahu i Ballkanit dhe Ilir Krasniqi i Llapit.
Për mbrojtësin e skuadrës nga Podujeva janë disa oferta, më afër për ta transferuar është skuadra nga Ukraina, Kolos Kovalika.