Presidenti i Shqipërisë, këtë të enjte e ka nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
Zgjedhjet parlamentare atje do të mbahen më 11 maj 2025, ku për këto zgjedhje, Begaj pati në dispozicion katër data, mes 15 prillit dhe 15 majit.
Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja në Shqipëri për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i suksesshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.
Begaj shprehu bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhësve me banim jashtë shtetit në këtë proces thelbësor për demokracinë. Të gjitha forcat politike kanë shprehur publikisht vendosmërinë për të ndihmuar këtë proces dhe për t’ia nënshtruar caktimin e datës së zgjedhjeve këtij interesi prioritar. /Topchannel