Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier në një konferencë për media ka thënë se ka ndarë shqetësimet e tij me kryeministrin Kurti në lidhje me vendimin e BQK-së për dinarin e Serbisë.
Hovenier tha se SHBA-ja është e shqetësuar se rregullorja, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në Kosovë, mund të nxisë tensione etnike në vend.
“Mendojmë që kjo çështje meriton konsideratë më të kujdesshme dhe diskutim me përfaqësuesit e BE-së në dialog. Jemi të shqetësuar nëse ka gjasa potenciale që gjendja të eskalojë në tension etnik në veri dhe të shndërrohet në problem për jetën e përditshme të serbëve”, tha ambasadori amerikan, raporton Telegrafi.
Hovenier nuk ka dashur që të japë detaje të takimit me kryeministrin, por e ka vlerësuar të ngutshëm veprimin për ndalimin e dinarit.
Ai ka kërkuar që të ketë kushte të mira jetësore për këdo.
“Nuk dua të flas për atë çfarë kam folur me Kurtin, për shqetësimet që i kemi ngritur dhe për mënyrën për të cilën besojmë se është e ngutshme dhe jo mandatare. Jemi këtu për t’u siguruar që ky vendim nuk do të ketë ndikim në jetën ditore të njerëzve. Gjithçka çka dëshirojmë është që të jetojmë në kushte të mira jetësore”, ka thënë ai.
Sipas tij rrezikohen tensione sidomos te njerëzit që varen nga ndihmat që vijnë prej Serbisë, derisa ka shprehur shpresën që Qeveria e Kosovës të gjejë zgjidhje tranzicioni.
Hovenier ka thënë se nuk e di se si do të tejkalohet frustrimi i qytetarëve, teksa ka marrë shembull pensionistët, për të cilët ka thënë se deri më tani kanë marrë pagesat mujore me dinar dhe tashmë ndryshimi i valutës për “benefitin social” nuk dihet se çfarë reagimi do të sjellë tek ta.
Që nga paslufta më 1999, Serbia ka përdorur dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë, përfshirë këtu edhe spitalet dhe shkollat.