Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nga radhët VLEN, Adnan Azizi, në një deklaratë të tij të shkruar tha me tone të forta se gjatë pushtetit të BDI-së dhe kryetarit të kësaj partie, Ali Ahmetit, u vranë heronj dhe luftëtarë të UÇK-së, përcjell Kosova Post.
Ai u shpreh se populli e njeh ecurinë e gjërave pas përfundimit të luftës së vitit 2001 në Maqedoni të Veriut, ku partia e Ahmetit “u mbush me udbashë ose pasardhës të udbashëve të Serbisë”.
“Të gjithë kontributin dhe luftën e UÇK-së (Ali Ahmeti) mundohet t’ia atribuojë vetvetes dhe partisë së tij. Ndërkohë mendon se populli nuk e din se pikërisht pas përfundimit të luftës, partia e tij u mbush me udbashët ose pasardhësit e udbashëve të Serbisë”, tha deputeti Azizi.
Po ashtu, ai përmendi edhe Marrëveshjen e Ohrit me të cilën u përmbyll lufta në MV, duke shtuar se pak para nënshkrimit të saj, në rrethana të dyshimta u vranë komandantët e tre luftrave, Tahir Sinani dhe Komandant Teli.
Në vijim të deklaratave të tij, deputeti shqiptar i Kuvendit të MV-së tha se edhe më tutje, gjatë pushtetit të BDI-së u vranë luftëtarët dhe heronjtë e vërtetë të UÇK-së, si Harun Aliu, Nuri Mazari, Komandant Shqiponja dhe djemtë më të mirë të UÇK-së, të cilët u tradhëtuan në Lagjen e Trimave.
“Ali Ahmeti mund të harrojë, por populli dhe ne kurrë nuk do të harrojmë dhe gjithmonë do ia kujtojmë!”, tha në përfundim deputeti Azizi.