Komuna e Gjilanit ka njoftuar se kanë nisur punimet për ndërtimin e njërës nga rrugët kryesore të fshatit Veleknicë.
Sipas njoftimit, kjo arterie nga rruga Gjilan-Preshevë deri tek ajo Gjilan-Kumanovë do të rregullohet e tëra dhe do të zgjerohet.
“Në fillimin e punimeve ishte edhe drejtori për Shërbime Publike, Kushtrim Ibrahimi, bashkë me këshilltarin e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Fadil Ademin”, thuhet në njoftimin e komunës.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se në fshatin Velekincë, tashmë kanë nisur punimet për trajtimin e njërës nga rrugët kryesore, e cila ka qenë edhe kërkesë e vazhdueshme e banorëve të kësaj ane.
Sipas tij punimet po realizohen në kuadër të kontratës verore për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Do të vazhdojmë me përkushtim punët e mira për Gjilan dhe përmirësimin e infrastrukturës në çdo lagje e fshat”, tha ai, thuhet tutje në njoftim.


























