Ministri i Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se edhe këtë vit do të mundësohet regjistrimi falas për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, me qëllim rritjen e përfshirjes dhe qasjes së barabartë në shërbimet komunale.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se u ka kërkuar komunave që muaji prill të shpallet si muaj i regjistrimit falas për këto komunitete.
“Me qëllim të gjithëpërfshirjes, përfaqësimit dhe qasjes së barabartë në shërbime komunale, si secilin vit të kaluar, edhe këtë vit kam marrë vendim për regjistrim falas për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se komunat duhet të krijojnë lehtësira dhe të ofrojnë informacion të plotë për qytetarët, në mënyrë që procesi i regjistrimit të jetë sa më i lehtë dhe i qasshëm.
“Kam kërkuar nga Komunat që të shpallin muajin prill si muaj falas për regjistrimin e këtyre komuniteteve, duke krijuar lehtësira dhe ofruar informacion të plotë dhe të nevojshëm për regjistrim të mëvonshëm”, ka shtuar ai.
Sipas Krasniqit, kjo nismë synon të dëshmojë përkushtimin institucional ndaj përfshirjes dhe barazisë në shoqëri.
“Regjistrimi falas i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian do të dëshmojë përkushtimin tonë ndaj përfshirjes, duke siguruar që të gjithë anëtarët e shoqërisë të njihen dhe të kenë qasje në shërbimet komunale”, ka theksuar ministri.
Ai ka shtuar se heqja e tarifave të regjistrimit do të ndihmojë në eliminimin e barrierave financiare për komunitetet e margjinalizuara.
“Duke hequr dorë nga tarifat e regjistrimit, komunat do të eliminojnë barrierat financiare që mund të pengojnë komunitetet e margjinalizuara”, ka deklaruar Krasniqi.


























