Një sondazh i ri nga YouGov ka zbuluar se pothuajse 46% e britanikëve do të mbështesnin krijimin e një ushtrie evropiane që përfshin Mbretërinë e Bashkuar.
Sondazhi, i realizuar me 7,300 të rritur në Britaninë e Madhe, tregoi se 28% e të anketuarve nuk e mbështesin idenë, ndërsa pjesa tjetër mbeten të pavendosur.
Mbështetja më e fortë për një ushtri të përbashkët evropiane vjen nga Skocia dhe Uellsi, ndërsa përkrahja më e moderuar është përqendruar në Uells dhe në jug të Anglisë.
Gjithashtu, më shumë se gjysma e të anketuarve meshkuj e mbështesin fuqimisht ose pjesërisht idenë, ndërsa femrat mbeten më të pasigurta, me mbi një të tretën që deklarojnë se nuk kanë një qëndrim të qartë.
Të dhënat tregojnë një prirje më të madhe për të mbështetur idenë midis personave mbi 25 vjeç, ndërsa të rinjtë shfaqin më shumë pasiguri për këtë çështje.
Nga ana politike, votuesit liberal-demokratë dhe laburistë janë më të prirur për ta mbështetur krijimin e një ushtrie evropiane, ndërsa mbështetësit e Reformës në Mbretërinë e Bashkuar – një parti që ndjek linjën e fortë pro-SHBA-së – përbëjnë grupin më të madh të kundërshtarëve.
Shpenzimet e mbrojtjes mbeten një çështje delikate
Pavarësisht kësaj mbështetjeje për një ushtri evropiane, shumica e britanikëve janë kundër rritjes së taksave për të financuar mbrojtjen.
Sipas sondazhit, më shumë se 50% e të anketuarve nuk do të pranonin një rritje taksash për të mbështetur sektorin e mbrojtjes, ndërsa vetëm 30% do ta mbështesnin një masë të tillë.
Ky rezultat tregon se, edhe nëse ideja e një ushtrie evropiane fiton më shumë mbështetje në Mbretërinë e Bashkuar, sfida kryesore do të mbetet financimi i saj pa ndikuar në xhepat e qytetarëve.