Përpjekja e katërt për konstituimin e Kuvendit të Kosovës vijon të hënën. Partitë e opozitës së deritashme, PDK, LDK dhe AAK kanë thënë se nuk do ta përkrahin me votë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare, Albulena Haxhiun.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë ndryshuar qëndrim për të propozuarën e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiun.
Asnjë nga partitë e opozitës së deritashme nuk ka votë për Haxhiun, kanë thënë përfaqësues të këtyre partive politike të hënën.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, e cila në sytë e opozitës konsiderohet si figurë përçarëse më shumë sesa unifikuese, mori 57 vota nga 61 të nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare të shtunën, në përpjekjen e tretë për krijimin e Kuvendit.


























