Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se e mbështet dhe e mirëpret dekretin dhe qëndrimin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës.
“LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës”, tha Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook.
Ai theksoi se dështimi politik dhe tendencat për imponim dhe improvizim nuk mund të prodhojnë debate artificiale apo zvarritje procedurale që do ta shndërronin vendin në një shtet pa norma dhe rregulla.
“Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla. Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike”, u shpreh kryetari i LDK-së.
Abdixhiku shtoi se zgjedhjet nuk ishin kurrë alternativa e preferuar e partisë së tij.
“Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, përfundoi ai.
Ky qëndrim vjen pas vendimit të Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe nisjen e procesit për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.


























