Në ditën e pestë të fushatës elektorale, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur qytetarët në Klinë. Në këtë tubim, kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, tha se kjo parti ka program zhvillimor që i përgjigjet sfidave të qytetarëve të Kosovës.
“Paga më të larta, arsim e shëndetësi më të mirë. Kjo është Kosova e ëndrrave tona”, tha Abdixhiku.
Bartësi i listës së LDK-së tha para elektoratit në Klinë se partia që ai drejton është më e përgatitur se kurrë që me 9 shkurt të kthehet shpresa, derisa ka shpalosur pikat konkrete të programit të LDK-së.
“Çështjen e ujit do ta zgjidhim menjëherë, pa asnjë dyshim, sa më parë. Ne kemi 5 miliard euro investime, ne kemi ambicie. Që në javën e parë të gjithë shërbyesve civil do të iu rriten pagat me koeficient 150 euro. Ne duhet të lëmë prapa çështjen e problemeve me rrymë, ne do ta ndërtojmë centralin e ri me gaz. Investimi në energji nuk është veç ekonomi, por edhe siguri dhe këtë do ta bëjmë me SHBA-në. Ne do të investojmë edhe në shëndetësi”, tha tutje i nominuari nga LDK-ja për kryeministër.
Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për deputet të kësaj komune.