Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar formimin e një ‘bashkimi të madh politik’, por nuk ka dhënë shumë detaje për këtë iniciativë.
Ai ka theksuar se koha kërkon bashkim të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë qytetarëve që ndjekin rrugën euroatlantike, e të cilët, sipas tij, kanë një shtëpi të përbashkët në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës. Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes, bëhen krejtësisht të parëndësishme”, ka shkruar ai në Facebook.
Abdixhiku ka thënë se kjo kohë kërkon bashkim.
“Dramat e sotme, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën. Vendit i duhet një tjetër rrëfim. Një rrëfim që bashkon, që normalizon jetën politike, që zhvillon shtetin dhe e ankoron përgjithmonë në Perëndim”, ka përfunduar Abdixhiku.


























