Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ky akt sjell qartësi në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Sipas Abdixhikut, vendimi rikthen procesin në Kuvend dhe u jep deputetëve afat për zgjedhjen e Presidentit, pa krijuar epërsi për askënd.
Abdixhiku ka nënvizuar se përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare, e cila duhet të ofrojë zgjidhje dhe se procesi nuk mund të përmbyllet pa votat e saj. Ai ka theksuar se LDK beson se zgjedhjet e Presidentit duhet të zgjidhen me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese dhe jo me imponim, dhe se Presidenti duhet të jetë figurë bashkuese dhe jo zgjatim i shumicës.
Në këtë kontekst, Abdixhiku ka deklaruar se LDK është e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve, por nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt. Ai ka vlerësuar gjithashtu veprimet e Presidentes së Republikës si të domosdoshme për ruajtjen e rendit kushtetues dhe shmangien e vakumit institucional, duke nënvizuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese duhet respektuar nga të gjithë.
“Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin”, ka shkruar kreu i LDK-së në Facebook, përcjell KosovaPost.


























