Administrata Trump po shqyrton mundësinë e mbylljes së gati 30 ambasadave dhe konsullatave jashtë shtetit, ndërsa parashikon ndryshime të mëdha në praninë diplomatike amerikane jashtë vendit, sipas një dokumenti të brendshëm të Departamentit të Shtetit të siguruar nga CNN.
Në dokument janë rekomanduar për mbyllje ambasadat në Maltë, Luksemburg, Lesoto, Republikën e Kongos, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Sudanin e Jugut. Lista përfshin gjithashtu pesë konsullata në Francë, dy në Gjermani, dy në Bosnje dhe Hercegovinë, një në Mbretërinë e Bashkuar, një në Afrikën e Jugut dhe një në Korenë e Jugut, shkruan CNN.
Gjithashtu rekomandohet zvogëlimi i prezencës në misionet diplomatike amerikane në Somali dhe Irak — dy vende që kanë qenë kyçe për përpjekjet kundër terrorizmit të SHBA — si dhe “ristrukturimi” i misioneve të tjera diplomatike.
Nuk është ende e qartë nëse Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka miratuar mbylljet e propozuara.
Ndryshimet e propozuara vijnë në kuadër të një reforme më të gjerë të pritshme të agjencisë diplomatike të SHBA, ndërkohë që administrata, e nxitur nga Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE) i mbështetur nga Elon Musk, ndërmerr hapa dramatikë për të zvogëluar qeverinë federale.
CNN raportoi në mars se Departamenti i Shtetit ishte duke ndërmarrë hapa për të mbyllur disa nga konsullatat e listuara në dokumentin e brendshëm.
Ndryshe, ambasadat dhe konsullatat janë pika të rëndësishme për Departamentin e Shtetit. Ato ofrojnë shërbime si përpunimi i vizave dhe ndihma për qytetarët amerikanë në nevojë. Këto poste gjithashtu mbledhin informacion që i dërgohet Uashingtonit, dhe zyrtarët thonë se ato janë mjete të rëndësishme diplomatike ndërsa SHBA përpiqet të kundërveprojë ndikimin e vendeve si Kina. Shumica e konsullatave nuk kanë staf të madh./rtk