Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mbërritjes në Sarajevë, ku shoqata e pavarur e intelektualëve “Rrethi 99” e pati të ftuar në seancën e saj të zgjeruar, ai zhvilloi takime në Presidencën e Bosnjës me anëtarin kroat, Zhelko Komshiç dhe atë boshnjak, Denis Beqiroviç.
Pas takimeve në Presidencën e Bosnjës, kryeministri Albin Kurti u prit edhe nga Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Nermin Nikshiq. Po ashtu, ai vizitoi edhe komunitetin shqiptar në Bosnjë. Vizita e tij u prit me shumë entuziazëm nga ana boshnjake dhe kroate, por edhe me shumë kundërshtime nga pala serbe, ku Milorad Dodik i presidencës së Republikës Serpska u shpreh me gjuhë shumë të ashpër kundër vizitës së kryeministrit Kurti. Kësaj gjuhe të ashpër iu bashkua edhe ministri i jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq.
Në lidhje me këtë vizitë të kryeministrit Kurti u shpreh edhe akademiku boshnjak, Esad Durakoviq, i cili e vlerësoi lart figurën e Kryeministrit të Kosovës dhe avancimin që ai i ka bërë raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.
“Është e mrekullueshme që ‘Rrethi 99’ organizoi paraqitjen e z. Kurti, pavarësisht protestave të shovinistëve të Dodikut. Më vjen keq që nuk munda të marr pjesë, sepse jam jashtë Bosnjë-Hercegovinës”, tha Durakoviq.
“Dëshiroj ta përshëndes atë njeri të jashtëzakonshëm në gjuhën e tij. Për 15 vjet e gjysmë kam punuar në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. E kam thënë shpesh në mediat tona, portale dhe televizione, se Kurti është burrështetas dhe ne duhet ta imitojmë atë. Është vërtet i veçantë!”
Kështu u shpreh akademiku boshnjak Durakoviq për portalin DEPO duke shuar: “Nuk e di nëse publiku ynë është në dijeni se çfarë dhurate na sjell z. Kurti në mënyrë të njëanshme – që mund të shkojmë në Kosovë me letërnjoftime, por jo në drejtim të kundërt. Mendoj se në marrëdhëniet ndërshtetërore, në diplomaci është shprehja më e lartë e miqësisë, veçanërisht në situatën tonë paralizuese që z. Kurti padyshim e kupton shumë mirë. Falënderime të pafundme për këtë!”