Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas aksidentit tragjik që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Liqenin e Badovcit, ku humbën jetën tre persona, përcjell KosovaPost.
Me anë të një postimi në Facebook, Konjufca u ka shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion.
“Me shumë dhimbje mora lajmin se në aksidentin e mbrëmshëm në Liqenin e Badocit kanë ndërruar jetë tre të rinj. U informova se organet përkatëse janë angazhuar maksimalisht me rastin për ta zbardhur atë në plotni. E në të njëjtën kohë, i bashkohem thirrjes për kujdes të shtuar gjatë këtyre kushteve të pafavorshme atmosferike që shtojnë rreziqet përgjatë lëvizjes me mjete automobilistike”, ka shkruar Konjufca.
“Duke bashkëndier me dhimbjen e familjarëve, si dhe miqve të viktimave, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e tyre dhe shpresoj të gjejnë forcën për të përballuar këtë tragjedi tronditëse. U prehshin në paqe!”, shtoi Konjufca.