Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në mungesë ndaj të akuzuarit me iniciale G.P. për vepër penale të dhunimit gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kryer dhunim seksual ndaj një shqiptari.
“Prokuroria Speciale ka njoftuar se i pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj mashkullit të nacionalitetit shqiptar”, thuhet në njoftim.
Prokuroria thotë se i akuzuari G.P. me këtë ka kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’.
“Me këtë veprim i akuzuari ka kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.
PSRK gjithashtu ka njoftuar se kjo është aktakuza e dytë në mungesë lidhur me rastin e dhunimit gjatë luftës në Kosovë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet e prokurorisë për të siguruar praninë fizike të pandehurit në procedurë.
Andaj, Prokuroria Speciale thotë se ka propozuar që ndaj të njëjtit të mbahet gjykimi në mungesë.