Carlos Alcaraz vazhdon të shkruajë historinë e tenisit botëror.
Tenisti spanjoll ka triumfuar për herë të parë në karrierën e tij në Australian Open, duke mposhtur në finale serbin Novak Djokovic me rezultat 3-1 në sete (2-6, 6-2, 6-3, 7-5), në një ndeshje që zgjati 3 orë e 2 minuta.
Pas një seti të parë të vështirë dhe të humbur, Alcaraz reagoi fuqishëm, duke treguar pjekuri, forcë fizike dhe mentale, pavarësisht lodhjes së madhe nga gjysmëfinalja dramatike që zgjati 5 orë e gjysmë ndaj Alexander Zverevit.
Me këtë sukses historik, Alcaraz bëhet lojtari më i ri ndonjëherë që ka kompletuar Grand Slam-in e karrierës, duke fituar të katër turnetë e mëdha të paktën një herë. Ai e arrin këtë rekord në moshën 22 vjeç e 272 ditë.
Në total, spanjolli tashmë numëron shtatë tituj Grand Slam, ndërsa triumfi në Melbourne është i pari për të në Australian Open, duke e vendosur atë në elitën absolute të historisë së tenisit.
Fitorja i siguron Alcarazit edhe një avantazh të madh në krye të renditjes botërore të ATP-së. Ai kryeson me 13,650 pikë, duke lënë pas italianin Jannik Sinner me 10,300 pikë dhe Novak Djokovic me 5,280 pikë.
Carlos Alcaraz konfirmon edhe një herë se është lideri i brezit të ri dhe emri kryesor i së ardhmes së tenisit botëror.


























