Më datën 9 dhjetor, teksa BDI-ja kishte ngritur çadrat pranë Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut dhe e quanin veten “Rojet e Gjuhës”, Departamenti Amerikan i Shtetit bëri publik një vendim që do të trondiste në themel këtë parti, që pas shumë vitesh keqpërdorimi të pushtetit po tentonte të vetportretizohej si mbartëse e çështjes së të drejtave të shqiptarëve në MV, tashmë nga pozitat e opozitarizmit.
Si opozitarë të rinj dhe si hajna të vjetër, BDI-ja mësoi se Departamenti i Shtetit kishte shpallur Non Grata atë që quhej dora e djathtë i Ali Ahmetit, Artan Grubin.
Me këtë “dorë të djathtë” Ali Ahmeti garantoi pushtetin e gjatë, duke blerë, shantazhuar, inskenuar, vjedhur e korruptuar.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i prenë “dorën e djathtë” kur deklaruan publikisht se Artan Grubi kishte ndikuar në procesin gjyqësor ndaj ish-shefit të shërbimit sekret të Maqedonisë së Veriut, përndjekësit të shqiptarëve, famëkeqit Sasho Mijallkov.
Se çfarë interesi kishte Artan Grubi dhe BDI-ja ta shpëtonte atë që burgosi dhe përndoqi shqiptarët gjatë regjimit të Nikolla Gruevskit, këtë duhet të na sqarojë Ali Ahmeti, kryetari i kësaj partie.
Nga mediat mësuam se Artan Grubi, duke e ditur që prokuroria në MV po përgatiste ndjekjen e tij penale për korrupsion, u largua për në Kosovë.
Këtë arratisje e bëri me ndihmën e Arsim Papranikut, i cili mban titullin si Konsull Nderi dhe drejton konsullatën e Kosovës në qytetin e Strugës. Njëkohësisht, Arsim Papraniku njihet për lidhjet e tij të afërta me ish-pushtetarë në Kosovë, por edhe si njeriu i oligarkut Samir Mane dhe që drejton bizneset e tij në MV. Me makinën e tij që mban targa diplomatike, Papraniku e transportoi Grubin të kërkojë strehë te miqtë e tij të ish-pushtetit në Kosovë.
Pas shpalljes së Artan Grubit si person në kërkim ndërkombëtar, presioni i ambasadave në Maqedoni të Veriut ndaj Ali Ahmetit, e bëri këtë të fundit që të shkonte në Kosovë, për të takuar Artan Grubin dhe ta bindë atë të kthehet në MV e t’i nënshtrohet procesit gjyqësor.
Nga burimet e veta, Kosova Post mëson se takimet e Ali Ahmetit me eksponentë të opozitës në Kosovë ishin vetëm kamuflim i arsyes së vërtë të ardhjes së tij. Në realitet, ai kishte ardhur të bindë Artan Grubin.
Përmes burimeve të Kosova Post mësuam se Ali Ahmeti jo vetëm që nuk e bindi Artan Grubin, por ky i fundit, pas kësaj “vizite” u arratis tashmë në një drejtim tjetër më të sigurtë, tek mik i tij në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Ky veprim i Departamentit të Shtetit është një tronditje e madhe, lëkundjet e të cilës ndihen nga Shkupi për në Prishtinë e deri në Tiranë.
Një gërvishtje e vogël te një prej figurave të errta si Artan Grubi nxorri në pah se shumë njerëz po ndjehen të frikësuar se mos i gjen një fat i ngjajshëm. Këto lëkundje vendosën në veprim e në mbrojtje të Grubit vetë BDI-në, njerëz të ish-pushtetit në Kosovë, diplomatë të lidhur me ish-pushtetet dhe me oligarkët shqiptarë, si dhe me pushtetin në Shqipëri.
Druajtja është se mos situata del jashtë kontrolli dhe ekspozohet një klan i ndërlidhur mbarëshqiptar i pushtetit në Shqipëri, ish-pushtetit në Maqedoni të Veriut dhe Kosovë, si dhe oligarkëve që i ushqejnë së bashku. Ajo që mund të ekspozohet është se ata nuk i mban bashkë interesi i popullit shqiptar, por aferat, interesi personal dhe i dyshimtë ekonomiko-pushtetor.
A do ta “dorëzojnë” Artan Grubin që nuk po i dorëzohet drejtësisë? Kjo do të shihet.
Saga do të vazhdojë. Ndërkohë, Ali Ahmeti do të jetë duke ndjekur Artan Grubin, ndërsa paniku do të vazhdojë të rritet./KosovaPost/