Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se në tri vitet e fundit në Kosovë janë eliminuar mbi 1 mijë e 500 deponi ilegale, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se largimi dhe eliminimi i qëndrueshëm i këtyre deponive ka rëndësi të madhe për shëndetin e qytetarëve, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve, përmes kalimit në ekonominë qarkore dhe shfrytëzimit të hapësirave për qëllime rekreative.
Aliu ka theksuar se mbetet ende sfiduese numri prej rreth 700 deponive ilegale, të cilat “jemi të përkushtuar që së bashku t’i eliminojmë, gjithnjë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante dhe veçanërisht qytetarët”.