Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka dhënë sqarim lidhur me pëlqimin që i ka bërë një lajmi në Twitter, në të cilin presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen ndaj Kosovës.
Përmes një emaili dërguar nga ambasada në të cilin citohet një zëdhënëse, Jud Katherine, thuhet se ai lajm nuk është pëlqyer qëllimisht.
Gjithashtu thuhet se janë duke e shqyrtuar situatën për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.
“Llogaria zyrtare në Twitter e Ambasadës së SHBA-së nuk ka ‘pëlqyer’ qëllimisht asnjë postim në Twitter gjatë 24 orëve të fundit. Ne po shqyrtojmë situatën për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur. Siç u theksua më parë: kur kemi një pozicion për të artikuluar, ne e bëjmë këtë nëpërmjet deklaratave zyrtare – jo nga një ‘like’ e mediave sociale”, thuhet në deklaratë.
Profili në Twitter i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka pëlqyer një postim në të cilin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës të mërkurën në mbrëmje. Një ditë më pas [e enjte], Ambasada e ka hequr pëlqimin.