Arritja e çfarëdo marrëveshjeje jo gjithëpërfshirëse në sferën ushtarake nuk kontribuon në formimin e një sistemi sigurie vërtetë të besueshëm dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Kështu u shpreh ambasadori rus në Shqipëri, Aleksey Zaitsev, për median ruse “Izvestia”, e cila konsiderohet media nacionale në Rusi.
“Ndërtimi i vazhdueshëm i infrastrukturës së NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëri, duke përfshirë hapjen në mars 2024 në Kuçovë të Shqipërisë të bazës së parë ajrore taktike të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, modernizimin e planifikuar të portit të Durrësit, duke përfshirë për nevojat e Forcave të Përbashkëta Detare të NATO-s, pjesëmarrjen e Tiranës zyrtare në projektin e transportit pan-evropian ‘Korridori-8’ nga Adriatiku në Detin e Zi, i cili mund të përdoret edhe për qëllime ushtarake, vetëm sa përkeqëson situatën tashmë të vështirë në Evropë, shkakton shqetësim serioz midis shteteve individuale në rajon”, shpjegoi Zaitsev, transmeton Klankosova.tv.
Ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Kroacisë dhe Republikës së Kosovës nënshkruan më 18 mars në Tiranë një deklaratë për bashkëpunimin në mbrojtje.
Siç shkruan media ruse, dokumenti parashikon ndërveprimin e palëve në fushën ushtarake, trajnime të përbashkëta, stërvitje të përbashkëta, përballje me kërcënimet e jashtme, si dhe shkëmbimin e informacionit të inteligjencës dhe “koordinimin e politikave dhe pozicioneve të pjesëmarrësve me strukturat shumëpalëshe euroatlantike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Rusia, ashtu si Serbia, si vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e kundërshtojnë pjesëmarrjen e kësaj të fundit në këtë marrëveshje.
Sipas Zaitsevit, “pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë nismë është një vazhdim logjik i politikës së qeverisë së saj për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike dhe sinkronizimin e hapave të sigurisë me kursin e BE-së në procesin e integrimit evropian”.