Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, është shprehur me optimizëm në prag të sfidës vendimtare kundër Arsenal në çerekfinalen e kthimit të Champions League.
Kjo pavarësisht humbjes 3-0 në ndeshjen e parë. Ballafaqimi i dytë pritet të zhvillohet të mërkurën në kryeqytetin spanjoll.
“Kemi cilësitë për ta kapërcyer këtë sfidë, së bashku me përkushtimin, përvojën dhe tifozët. Burimet janë atje, dhe tani është koha për të dhënë gjithçka”, ka deklaruar italiani në konferencën për shtyp.
Ancelotti ka theksuar rëndësinë e kontrollit të lojës dhe ndikimit të stadiumit “Santiago Bernabeu”: “’Bernabeu’ është magjik dhe të gjithë e dinë se ka një atmosferë të veçantë. Nesër do të na duhet pak nga gjithçka: cilësi dhe një paraqitje e plotë, si fizikisht ashtu edhe si ekip. Asnjë nga këto gjëra nuk mund të shkojë keq. Ne do të përpiqemi të luajmë një lojë me mendje dhe me zemër”, ka thënë ai.
Në një moment kritik për sezonin, ai ka shprehur besim të plotë tek skuadra: “Motivimi është aty dhe tani dua që lojtarët të jenë të qetë para ndeshjes. Jam i sigurt që do të japim gjithçka”, ka thënë tekniku italian.
Zërat për një shkarkim të mundshëm në rast të eliminimit nuk e kanë brengosur trajnerin e njohur. “Ndeshje vendimtare për të ardhmen time? Nuk mendoj kështu”, ka thënë ai./rtk