Pasi që Kuvendi Komunal i Prishtinës të enjten në një seancë të jashtëzakonshme ka anuluar vendimin për këmbim të pronave komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc, PDK-ja njoftoi edhe për prishjen e koalicionit me LDK-në.
Me 27 vota për, Kuvendi Komunal vendosi që të anulojë vendimin për këmbimin e pronave – ani pse vitin e kaluar e kishin miratuar. Pas raportimeve, pati reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila i kishte bërë kuorimin këtij vendimi më herët. Më pas, VV-ja thirri seancë të jashtëzakonshme, dhe me ndihmën e PDK-së dhe partive të tjera që janë pjesë e Kuvendit Komunal, u anulua vendimi.
Menjëherë pas përfundimit të seancës, PDK-ja ka njoftuar për shkëputje të koalicionit.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i PDK-së në Prishtinë Uran Ismaili, pak minuta pasi që në Kuvendin Komunal është votuar për anulimin e vendimit për këmbim të pronave.
“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc. Sapo dërgova shkresën zyrtare te Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre”, ka shkruar Ismaili në Facebook.