Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka reaguar pas vendimit të Apelit të Posaçëm, i cili vendosi që ta lejë në masën e sigurisë arrest me burg.
Ish-presidenti shqiptar tha se kjo nuk është çudi dhe surprizë, siç thotë ai nga drejtësia me regji e Narkoshtetit.
“Afërmendsh u rikonfirmua sërish se gjykatat janë thjesht dhe vetëm vegla qorre nën urdhrin dhe diktatin e Narkoregjimit DumDuman”, shkroi Meta në Facebook, përcjell KosovaPost.
“Desorosifikimi i drejtësisë është emergjencë kombëtare për çlirimin e shtetit dhe rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe barazisë përpara ligjit për çdo qytetar”, shtoi ai.
Në postim thuhet se asnjë vendim gjykate dhe asnjë veprim i “mjerë” i “Narkoregjimit” nuk e ndal betejën e Partisë së Lirisë për çmontimin e “Narkoshtetit”.
“Asnjë vendim gjykate dhe asnjë veprim i mjerë i Narkoregjimit nuk e ndal dot betejën e Partisë së Lirisë për çmontimin e Narkoshtetit, rikthimin e shtetit ligjor, mbrojtjen e lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të demokracisë e pluralizmit dhe vënien sa më parë në jetë të 5 Prioriteteve tona për 4 milion shqiptarë plus”, u shpreh Meta.